Ndryshime të reja janë bërë në ligjin për masat kundër dhunës në familje.
Kështu burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020.
Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.
Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa.
Më pas qeveria do të sigurojë një strehë për të gjithë burrat dhunues të cilët do të qëndrojnë aty pas largimit nga banesa.
Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private.
Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes.
Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli.
Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg.