Miratohet rregullorja e re e Policisë/ Ja rastet kur efektivëve u lejohet të përdorin armët

Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e re për përdorimin e armëve dhe pajisjeve kufizuese nga Policia e Burgjeve.
Në vendimin e publikuar nga qeveria theksohet se Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë armë, si më poshtë:

a) Armë me elektroshok;

b) Armë për përhapjen e gazeve irrituese;

c) Shkop gome;

ç) Shkop metalik.

Ndërkohë që për sa i përket pajisjeve kufizuese, policët e burgjeve mund të përdorin:

a) Pranga duarsh;

b) Pranga plastike;

c) Këmisha force;

ç) Rrip mesi kufizues;

d) Rrjeta izoluese.

Armët e mësipërme mund të përdoren nga efektivët e institucioneve të vuajtjes së dënimit vetëm kur i burgosuri ndërmerr veprime të drejtpërdrejta me qëllim largimin, kur efektivi është i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një kolegu të tij, ose kur i burgosuri rrezikon jetën e tij ose të personave të tjerë në qeli.

VENDIMI I PLOTË I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR RASTET DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË ARMËVE, TË NDRYSHME NGA ARMËT E ZJARRIT, SI DHE TË PAJISJEVE KUFIZUESE NGA POLICIA E BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 14, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për rastet dhe mënyrën e përdorimit të armëve, të ndryshme nga armët e zjarrit, si dhe rastet dhe mënyrën e përdorimit të pajisjeve kufizuese nga Policia e Burgjeve.

Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Armë”, çdo mjet ose vegël, sipas kuptimit dhe kategorizimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi për armët, të ndryshme nga armët e zjarrit;

b) “Pajisje kufizuese”, çdo pajisje, e cila përdoret nga Policia e Burgjeve në ushtrim të detyrës, në situata të veçanta, për kufizimin e lëvizjes së të burgosurit apo neutralizimin e tij, me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë.

RASTET DHE MËNYRAT E PËRDORIMIT TË ARMËVE DHE TË PAJISJEVE KUFIZUESE NGA POLICIA E BURGJEVE

Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë të mbajë armë dhe pajisje të tjera kufizuese, gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj, brenda orarit të shërbimit, vetëm në rastet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, si dhe në këtë vendim.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor pajisjet kufizuese, në kuadër të ushtrimit të detyrës, edhe me qëllim kufizimin e lëvizjes së të burgosurit.

Armët dhe pajisjet e tjera kufizuese përdoren vetëm nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, që kanë përfunduar me sukses trajnimin e detyruar për përdorimin e mjeteve të forcës. Armët dhe pajisjet e tjera kufizuese nuk mund të përdoren në kundërshtim me udhëzimet e trajnimit të detyruar për përdorimin e mjeteve të forcës.

Në çdo rast, përdorimi i armëve nga punonjësi i Policisë së Burgjeve kryhet duke parandaluar çdolloj ndikimi në jetën dhe/ose shëndetin e personit ndaj të cilit përdoret forca. Në rastet kur është i pamundur parandalimi i ndikimit në shëndetin e personit ndaj të cilit përdoret forca, punonjësi i Policisë së Burgjeve duhet të sigurohet që, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tij, shkaktohen vetëm ato dëmtime fizike ose shëndetësore, që janë të pashmangshme me qëllim parandalimin e neutralizimin e gjendjes, që ka diktuar përdorimin e armës.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor armën për të ushtruar të drejta apo për të përmbushur detyra të caktuara nga ligji ose nga një urdhër i dhënë nga eprori ose personi kompetent.

Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë armë, si më poshtë vijon:

a) Armë me elektroshok;

b) Armë për përhapjen e gazeve irrituese;

c) Shkop gome;

ç) Shkop metalik.

Policia e Burgjeve ka të drejtë të mbajë dhe të përdorë pajisje kufizuese, si më poshtë vijon:

a) Pranga duarsh;

b) Pranga plastike;

c) Këmisha force;

ç) Rrip mesi kufizues;

d) Rrjeta izoluese.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në përmbushje të detyrave funksionale, mund të përdorë armë në rastet e mëposhtme:

a) Kur i burgosuri ndërmerr veprime të drejtpërdrejta, me qëllim largimin nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga njëri vend në tjetrin;

b) Kur persona të tjerë ndërmarrin veprime të drejtpërdrejta, me qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë transportimit të tij nga njëri vend në tjetrin;

c) Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve, gjatë ose për shkak të detyrës, ose persona të tretë sulmohen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me mjete të rrezikshme për shëndetin apo jetën, vetëm në masën e nevojshme për të parandaluar dhe neutralizuar sulmin;

ç) Në rast se, për shkak të situatave emergjente, është e nevojshme ruajtja e rendit dhe e sigurisë në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ose e jetës dhe e shëndetit të të burgosurve, të punonjësve të Policisë së Burgjeve, të punonjësve të tjerë apo të personave të tjerë të pranishëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;

d) Kur është e nevojshme për të siguruar që një i burgosur të ndalojë kryerjen e një veprimi të paligjshëm ose të ndjekë udhëzime të caktuara të ligjshme;

dh) Në çdo rast tjetër kur punonjësi i Policisë së Burgjeve është i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, vetëm në masën e nevojshme për të parandaluar e neutralizuar sulmin.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor pajisje kufizuese vetëm në raste të veçanta, me qëllim:

a) garantimin e rendit e të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nga çdolloj cenimi, që mund të kanoset nga të burgosurit apo persona të tretë;

b) parandalimin e arratisjes dhe garantimin e sigurisë fizike gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale, shoqërimit ose transferimit të të burgosurve jashtë ambienteve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;

c) parandalimin e arratisjes së të burgosurit nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;

ç) sigurimin e ruajtjes së të burgosurve në institucione ose qendra shëndetësore;

d) garantimin e sigurisë fizike personale apo të shëndetit të vetë të burgosurit, në rastet kur i burgosuri ka rrezik të dëmtojë veten e tij;

dh) parandalimin e kryerjes së një krimi, me qëllim shmangien e kërcënimeve serioze për integritetin fizik të personave të tjerë apo të vetë personit.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në rastet kur diktohet përdorimi i armës, fillimisht paralajmëron të burgosurin apo personin që cenon sigurinë se do të përdorë armën. Nëse situata vijon të përbëjë rrezik, sipas parashikimeve të pikës 8, të këtij vendimi, punonjësi i Policisë së Burgjeve përdor armën në atë masë që është e nevojshme për të kontrolluar situatën, por duke sjellë sa më pak dëmtime në shëndetin e personit.

Në rastet kur është objektivisht i pamundur njoftimi paraprak për përdorimin e armës, punonjësi i Policisë së Burgjeve e përdor armën në atë masë që është e nevojshme për të kontrolluar situatën, por duke sjellë sa më pak dëmtime në shëndetin e personit.
Përdorimi i armës ndalon menjëherë pasi personi është neutralizuar apo situata është vendosur nën kontroll.
Pajisjet kufizuese, që përdoren nga Policia e Burgjeve, përzgjidhen për t’u përdorur në përputhje me situatën që i dikton ato.

Përdorimi i pajisjeve të tjera kufizuese gjatë ushtrimit të detyrës bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe në proporcion me situatën. Intensiteti i përdorimit të pajisjeve kufizuese duhet të jetë i atillë që masa e vendosur është efektive për të arritur neutralizimin apo kontrollin e situatës.

Përdorimi i pajisjeve kufizuese lejohet si masë paraprake edhe gjatë ruajtjes, transferimit apo shoqërimit, me kusht që ato të hiqen kur i burgosuri del përpara një organi gjyqësor ose administrativ, me përjashtim të rasteve kur organet e procedimit vendosin ndryshe. Në raste të tilla informohet menjëherë një institucion shëndetësor dhe drejtuesi i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale.

Kur arsyeja për përdorimin e pajisjes kufizuese pushon së ekzistuari, përdorimi ndalet menjëherë.
Në çdo rast, ndalohet përdorimi i zinxhirëve dhe i hekurave, si dhe çdo mjet tjetër që e vendos personin në kushtet e torturës, trajtimit ose dënimit çnjerëzor apo degradues.

Nuk lejohet përdorimi i pajisjeve kufizuese për gratë e burgosura shtatëzana gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes së fëmijës.
Përveç rastit të përdorimit të prangave gjatë shoqërimit, punonjësi i Policisë së Burgjeve njofton sa më parë eprorin për përdorimin e armës apo të pajisjeve të tjera kufizuese. Kur përdoren pajisje kufizuese shtrënguese, si:

këmishat e forcës, rrip mesi kufizues apo rrjeta izoluese, punonjësi i Policisë së Burgjeve, përveç eprorit, njofton edhe drejtuesin e institucionit, i cili lajmëron menjëherë mjekun ose kujdesin tjetër shëndetësor për të verifikuar masën e përdorimit të pajisjes kufizuese dhe dëmtime të mundshme të shëndetit.

Sipas përdorimit, armët dhe pajisjet kufizuese mbahen me vete ose në depo të veçanta, në rafte të individualizuara, gati për përdorim të menjëhershëm dhe u jepen punonjësve sipas planit të masave para fillimit të veprimeve.
Prangat dhe shkopinjtë e gomës mbahen me vete nga punonjësit e Policisë së Burgjeve. Ato dorëzohen në institucion jashtë orarit të shërbimit.

Lëvizja e armëve dhe e pajisjeve kufizuese nga njëri institucion në tjetrin bëhet me urdhër ose plan shpërndarjeje të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Çdo punonjës në institucion është përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e armëve e të pajisjeve kufizuese dhe të dokumentacionit të institucionit kundrejt humbjeve, vjedhjeve, keqpërdorimit dhe përdorimit të paautorizuar të tyre, sipas kompetencave që mbulon, duke dokumentuar veprimet e ndërmarra prej tij, për të siguruar ruajtjen e mirëmbajtjen e armatimit dhe të pajisjeve të policisë që ka nën përgjegjësi.

Punonjësi, që ka kontakt të drejtpërdrejtë me të burgosurit, dhe personeli që punon me grupe të veçanta të burgosurish, para se të marrë detyrën, i nënshtrohet trajnimit të detyrueshëm për përdorimin e armëve dhe pajisjeve kufizuese.
Punonjësi, para se të marrë detyrën, trajnohet për teknikat e përdorimit të pajisjeve kufizuese dhe teknikat, që bëjnë të mundur përdorimin minimal të forcës për të kthyer vetëkontrollin te të burgosurit agresivë.

Trajnimi i punonjësve të Policisë së Burgjeve bëhet në përputhje me rregulloren e personelit të Policisë së Burgjeve dhe moduleve të posaçme, me qëllim marrjen e njohurive teorike dhe praktike për teknikat dhe intensitetin e përdorimit të armëve e të pajisjeve kufizuese.

III. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Loading...