Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri shprehet se investimi i kryer për rikualifikimin e fshatrave të jugut, shoqërohet padyshim një impakt shumë pozitiv mbi zhvillimin e turizmit në këto zona.
Gjiknuri, nëpërmjet një video shprehet se rikualifikimi i fshatrave të jugut do ketë impakt të menjëhershëm në turizëm.
“Mirë se vini në Vuno, atu ku urtësia e të parëve, kalldrëme qindra vjeçare dhe shtëpitë kulturore rrëfejnë historinë e zonës. Përballë plazhit të kristaltë, ngjitu të njohësh historinë e vendit”, shprehet ai.
Po ashtu, Gjiknuri shton se “në mbrojtje të identitetit janë rinovuar qendra historike Vuno. Fasadat e shtëpive, çatitë, rrjeti inxhinierik nëntokësor, kalldrëmet. Në bashkëpunim me Bankën e Këshillit Europian dhe institutin e Monumenteve të Kulturës i dhamë jetë modelit të ri të fshatrave turistik bregdetarë. Përmirësuam infrastrukturën e integruar publike. Sollëm uniformitet estetik. Ruajtëm trashëgiminë kulturore dhe historike për të nxitur zhvillimi e qëndrueshëm social-ekonomik, oferta turistike dhe ndërmarrje e sipërmarrje të reja”.
Në sheshin e Shën Spirishonit, u përmirësuan ambientet që ofrojnë shërbime bazë ndërsa u investua për rigjenerimin e sheshit dhe mobilimin urban për promovimin e denjë të objekteve historike.
Vunoi është pjesë e 100 fshatrave të zhvillimit urban. Ai ngrihet në formën e një teatri në këmbët e malit të Çikës. Gjendet paksa larg nga deti në një lartësi 176 m mbi nivelin e detit dhe karakterizohet nga thepishte të gurta të ngritura përmbi rrugicat e shtruara me pllaka të gurta.
Në qendër të fshatit është ndërtuar këtu e dyqind vjet më parë kisha e Panajasë (Shën Marisë). Gjithashtu ndodhen dhe kisha të tjera si ajo e Joan Pagëzuesit, Manastiri i Shën Spirdhonit si dhe kisha e Shën Mëhillit në pjesën lindore të manastirit, asete të çmuar të trashëgimisë kulturore me mjaft interes për vizitorët dhe turistët e huaj. /atsh