“Mirënjohja dhe mosmirënjohja” – Ese nga Përparim Hysi

“Mosmirënjohja është më e liga e poshtërsive”

Immanuel Kant (1724- 1804)

Që po e shkruaj këtë ese, ka një shkak: më lëndon mosmirënjohja. Kuptohet që jam me Kantin dhe jo vetëm kaq: lexuesit i them:- Çdo gjë që do lexoni është e faktuar: o përmjet leximeve(unë do t’i theksoj autorët), o përjetime të miat. Sidoqoftë, është me vend që të lakoj një poet antifashist spanjoll, LEON FELIPE (1884-1968) që thotë:”… unë shkruaj vetëm për gjërat që di”. Pra, dhe unë do shkruaj vetëm për gjërat që di.
* * *

Populli duke gjykuar raportin midis mirënjohjes dhe mosmirënjohjes, sikur ka mbajtur një gjykim luajal:” Të mirën shkruaje mbi gur, të ligën: mbi rërë!”. Unë, sado që ç’thotë populli nuk e luan topi, nuk jam aq i brishtë si Krishti (Krishti-popull në këtë rast) dhe kam thënë:” Po harrova të ligën, le të më nxjerrin njërin sy/ po harrova të mirën, të m’i nxjerrin që të dy.”. Ja, ky është qëndrimi im në raportin: mirënjohje- mosmirënjohje.
* * *

Nuk numërohen rastet që janë lakuar si mirënjohës dhe ca më shumë: mosmirënjohës. Mosmirënjohja, sa kam vënë re është ves a cen i njerëzve shpirtligj dhe si “vertebër aksidentale” e njerëzve pa “shtyllëkurrizore” apo, po të futesha në mathematikë, mosmirënjohja është “emërues i përbashkët” i diktatorëve. Para se t’u referohem emrave të përveçëm, le të bëj një “parashtrim” nga letërsia dhe nga autorë që i dua.

Pa dyshim, që kushdo që ka lexuar “Vajza e Kapitenit” të Pushkinit ka mbetur i mbresuar se Pushkini sa i madh është si poet,aq është dhe si prozator. Por qëllimi është që të theksoj këtë: mirënjohjen. Pugaçovi po i vinte në satër zotrinjtë.Padyshim i erdhi radha dhe zotërisë së SAVELIÇIT. Ky, SAVELIÇI, i thotë Pugaçovit:- A të kujtohet ai qyrku prej lëkure që të fali dikur zotëria? Dhe PUGAÇOVI e fali zotërinë e SAVELIÇIT.

Po “Taras Bulba” i Gogolit? Taras Bulba që vrau të birin,Andrean, se”tradhtoi vendin”, sa madhështor del si mirënjohës. Pa digresione të gjata. Kozakët kishin zbritur në “seç” (arenë betejash ku provonin shpatat) dhe vendosën që me një sulm t’i provonin shpatat mbi çifutët. Jankeli, një nga çifutët e “nuhat gjahun”, i thotë Tarasit:- Harrove që unë kam ndihmuar tëtvëlla?!!! Dhe Tarasi i “tmerrshëm” jo vetëm e fal, por i thotë: – A e sheh atë “karron atje”? Atje, poshtë asaj karroje fshihu. Tarasi me tabor e bënë “pogromin e madh” dhe, ndërsa kthehej “fitimtar” nga kjo betejë, mendonte për Jankelin e “shkretë” poshtë karrocës. Kur shtiri sytë për të parë”mikun”, ia dha të qeshurit:

Jankeli, poshtë karrocës, kish ngritur dyqan!!! Epo, këta çifutët! Megjithatë, nderin nuk e përrleu.
* * *

Kur them që mosmirënjohja është “emërues i përbashkët për diktatorët”, nuk shkruaj me apriori, por me fakte. Një nga mosmirënjohësit më të pështirë, me sa kam lexuar, ka qenë Stalini. Për këtë flet dikush që për vjete të tërë ka qenë ndihmës i tij. Quhet Boris Baxhanov. Ky tregon: ” Lenini ka lënë me shkrim, mes tjerash, një postulatë:- Mos i besoni Stalinit! E ka lënë me shkrim dhe, në formë testamenti apo amaneti, që porositë me shkrim të Leninit, të hapen e të lexohen para Byrosë së partisë dhe Komitetit qëndror, pas vdekjes së Leninit. Testamenti jo vetëm u mbajt i fshehur nga Krupskaja (gruaja e Leninit), por u bë i njohur,menjëherë pas vdekjes së Leninit. U lexua dhe,ndërsa Stallini shtrëngonte nofullat, në “hije” qe Trocki :ky qe”kocka në grykë” për Stalinin. Por Kamenievi dhe Zinovievi që nuk e donin Trockin, jo vetëm e mbështetën Stalinin, por e zgjodhën si sekretar i përgjithshëm. Nuk do zgjatem, postulati i Leninit i kish vënë pikat mbi i. Pasi përzuri Trockin dhe, një vit egjysëm pas mbështetjes që i bënë mirënjohësit: Kameniev e Zionoviev, Stalini i pushkatoi mirëbërësit e tij. Kamenievi, i alarmuar, i bërtiti:- Koba, e njeh mirënjohjen ti?

E njoh,- u përgjigj “mirëbërësi” Koba(Stalini),- është sëmundje e keqe e qenit!!!
* * *

Dhe një “mirëbërës” tjetër. Edhe ky diktator. Është fjala për Enver Hoxhën. Tek rishkruante kujtimet ( ndjente fundin), shkruan e zezë mbi të bardhë: ” Kur fashistët më kërkonin me qiri në dorë dhe kujtonin se isha në mal, unë shetisja fare lirshëm me gjithë “Delikaten” mu në mes të Tiranës. Dhe vazhdon: “… ndokush do të pyesë? More, po si është e mundur? Dhe… ” A e kini parë në muze një fotografi timen me syze e mustaqe? Fotografinë ma ka bërë Qemal Stafa. U detyrova që të mbaja edhe syze, por edhe mustaqe, se ai që më dha letërnjoftimin kishte syze e mustaqe. Do të thoni:- Po cili qe ai? Epo… ja që “emri nuk më kujtohet?!!!!”, po mbiemrin, ama, ia mbaj mend: e kishte HYSI!!!

Dhe Nexhmia e kishte VERA! Bilez, që prej asaj kohe, Nexhmien ne në shtëpi e thërresim VERA!!!

Emri që”nuk i kujtohej” e atij që e ndihmoi në kohë rreziku: qe HILMI! Ka qenë xhaxhai im; ka mbaruar juridikun në Mon Pelje (që atëherë kish miqësi me Enverin) dhe Vera është bashkëshoqja e Nexhmies në Institutin “NANA MBRETËRESHË” Mynevere Maliq Skrapari që u bë gruaja e Hilmiut, kur ky ishte gjykatës në Tiranë. Po unë as do ta kisha përmendur këtë”mirëbërsi” të xhaxhait dhe xhaxheshës sime, sikur mos kish ndodhur dhe “shpërblimi”. Enveri e pushkatoi atë” me syze e mustaqe” në moshën 35-vjeç, me grupin e dytë të deputetëve (në vitin 1948)dhe atë”Verën”(sozinë e Nexhmies),e internnoi në Këmishtaj të Lushnjes dhe, pasi pushkatoi të shoqin, e pushoi fare si mësuese. I vetmi”faj” i xhaxhai tim se “vuante nga sëmundja e qenit”. “Kopja”, kjo Vera , rron ende dhe kurrë nuk u kujtua për ishshoqen e saj.

Xhaxhait nuk i dimë as varrin. Xhaxhesha ime ka ndërruar jetë dhe”kopja” rron dhe jep dhe intervista.
* * *

Por njerëz të mirë e mirënjohës ka plot. Kur erdh demokracia dhe u përmbys regjimi komunist, një ditë prej ditësh, ndodhi që u arrestua presidenti i fundit komunist,Ramiz Alia. Shorti për të gjykuar, me sa mbaj mend, i ra një gjyqtari nga radha e ish të persekutuarëve. Besoj se nuk gabohem në emrin e tij ( të më falë, në e gaboj),por gjyqtari quhej Skënder Harluca). Pra, nuk kishte ku shkonte më mirë. “Viktima” do gjykonte “kasapin” e tij. Por çfarë ndodhi? Ky gjyqtar tregoi një integritet dhe dinjitet që të rrallët e kanë.

Nuk e gjykoj unë, Ramiz Alinë. Kur qe president, ai më fali jetën!!!
* * *

Dhe pak për “Belulin”(domethënë, për vete). Aty mesviteve ’70-të, një kolege ime qe mësuese në fillore. Qe hapur filiali i Institutit të lartë në Fier dhe ajo vrapoi të regjistrohej atje. Në këtë kohë, koleges sime i ndodhi dhe një fatkeqësi: bashkëshortin ia futën në burg si”armik”. Kish bërë “gjëmën”: ishte “vjedhur nga zbori” për të parë ndeshjen e futbollit.”Hija” iu vu pas dhe e dënua me 6 muaj burg. Por ajo kishte vullnet të madh, U regjistrua dhe unë i them:- Moj po shiko hallin, nuk ka ç’të duhet filiali dhe, kur ajo as ma vërshëlleu (po pse duhej, xhanëm?), unë i thashë:- Dëgjo, nëse ndodh që ti,me gjithë këto halle nëpër këmbë, merr diplomën, unë diplomën time do ta gris!!! “Inkurajim i madh?” Apo jo? Megjithatë, kur pashë që kolegia nuk iu nda leksioneve, atëherë bëra, sa munda, që ta ndihmoja atë.

As që e dija se të gjitha ato “replikat shoqërore si kolegu me kolegen” ajo do t’ia numëronte fill e për pe dhe të shoqit.

Dhe ndodhi që një pasdite, sado që unë banoja në fshat (tri- katër km nga Fieri larg), më trokit dera dhe, kur e hapa, pashë burrin e koleges, me të cilin kushedi se sa herë qemë takuar.

E prita me duar në qafë dhe,sa u ul, më tha:

– E di pse kam ardhur?

Po ç’pyetje është kjo? Mirëse ke ardhur,- fola unë.

Jo, jo,- ngulmoi ai. Ti ke bërë një bas me timeshoqe që, nëse merrte diplomën ajo, ti do grisje tënden. Ndërkaq, nxori diplomën e saj dhe priste, duke qeshur, përgjigjen time. Ndërsa, përgatitesha që të”qeshurës” (nuk qe e qeshur, por e ngjeshur), t’i jepja një përgjgije, pashë që kolegia ia kish treguar, veç tjerash,se si e kisha ndihmuar që të diplomohej dhe, pa më lënë që të flisja, më tha:

– Unë e di mirë se sa e ke ndihmuar timeshoqe dhe kam ardhur që të të falnderoj.Vet jam elektiricist dhe, nëse ke nevojë për këto dy duar të mia, natën dhe ditën janë në dispozicion.

U bëra si me krahë nga ky akt i madh mirënjohjeje dhe shkrova skicën “Duarët e ngrohta të mikut”.
* * *

Por ende nuk kam mbaruar. Në fshatin ku jetoja (fshat i madh me dymijë banorë), unë qeshë zgjedhur si kryetar i frontit. Nuk qe ndonj detyrë që të jepte rrogë apo ndonjë favor. Unë ndihesha keq se, kurdoherë kur dikush për çfarëdo faji apo akti “antiligjor” i jepej gjyqit, patjetër duhej t’i bëhej dhe biografia e familjes, ku me çdo kusht, duhet të shkruaje: qëndrimin gjatë luftës NÇL dhe më vonë të pasçlirimit. X… qe me “njollë” në biografi dhe,sado që e kisha paralajmëruar se mund të rëndohej faji i tij,edhe nga biografia, nuk hoqi dorë. Ndodhi që, kur u dënua me burg, një”si thelë pëmbi bisht” qe dhe biogarfia si birkulaku.

E bëri burgun dhe qëlloi që ishte nga të parët,që, kur u përmbys regjimi, (ky ishiburgosuri im?!!!) u bë me makinë. Unë kisha dalë në xhade dhe prisja të udhëtoja për Tiranë. Kur, papritur, një veturë më qëndroi mu tek këmbët. Shoferi qe ky,”ibiografisë”.

– Profesor,- më foli. Hajde të “paguash taksën e burgut!!!”. Dhe jo vetëm më çoi në Tiranë, por priti,deri sa mbarova punë, e më ktheu në shtëpi. Gjatë gjithë kohës që udhëtoja me të, sikur po bëja”burgun” e tij. Sidoqoftë, ndjeva një lehtësim në ndërgjegje. Sa e madhe është ndjenja e mirënjohjes!

Vetëm njerëzit e ligj nuk e n johin mirënjohjen. Në vizionin tim, njerëzit e ligj numërohen mi gishta. Të shumtët , në çdo vend të botës, janë njerëz të mirë dhe mirënjohës. Ndaj, e shkrova këtë “ese” si përkushtim për mirënjohjen!

Loading...