Doktori Yale Tung Chen, 35 vjeç, nga Spanja, i cili u “përqafua” me epideminë teksa ishte duke kuruar pacientë në spitalin në të cilën punon në Madrid, i ka ndarë të gjithë simptomat që ia ka shkaktuar sëmundja me ndjekësit e tij në rrjete sociale.
“Dita 1 pas diagnostikimit me #COVID. Dhimbje fyti, koke (e madhe), kollë e thatë. Nuk ka anomali në mushkri”.
“Dita 2 pas diagnostikimit #COVID. Më pak dhimbje të fytit, kollë dhe dhimbje koke (faleminderit zotit!)”.
“Dita 3 pas diagnostikimit #COVID. Pa dhimbje të fytit dhe të kokës. Por dhimbjet në gjoks janë evidente.Diarreja filloi, kolla për fat të mirë u përmirësua”.
Kjo ishte një pjesë e ditarit të mjekut, i cili ka menduar këtë formë për të treguar simptomat që po kalonte.
Në fillim ai nuk ishte në dijeni se ishte i prekur nga koronavirusi i ri, por nga një grip i zakonshëm. Për t’u siguruar, mjeku vendosi për të kryer testet e posaçme nga ku rezultoi se ishte i prekur me virusin famëkeq.
“Që nga ai moment, unë u izolova në dhomën time në shtëpi dhe shmangja çfarëdolloj kontakti me gruan dhe fëmijët. Kjo është ndoshta pjesa më shqetësuese, të mos jem pranë familjes sime, fëmijëve të mi në një moment si kjo”, u shpreh mjeku për mediat e huaja.
Sakaq, studiuesit nga Instituti i Mikrobiologjisë Bundeswehr në Munich zbuluan se mostrat e marra nga fyti dhe hunda e pacientëve të konfirmuar mbartës të COVID-19, shfaqën një ngarkesë shumë të lartë virale, edhe kur subjektet shfaqnin vetëm simptoma fillestare.
Nga krahu tjetër studiuesit amerikanë janë shprehur se virusi mund të mbijetojë në materiale bakri për katër orë, kartoni për një ditë dhe në plastikë e çelik për rreth 72 orë. Ato shtuan se simptomat e virusit, të cilat janë të ngjashme me atë të ftohjes ose gripit, përfshijnë kollë, ethe dhe temperaturë të lartë.
Ndërkohë ato konfirmuan se shumica e njerëzve të infektuar me virus vetëm do e kalojnë sëmundjen në formën e një gripi sezonal, por mund të ketë pasoja serioze veçanërisht për të moshuarit ose për të sëmurët kronik, shkruajnë mediat e huaja, citon top channel. Kujtojmë që deri më tani në të gjithë botën 4.757 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130.324 të tjerë janë konfirmuar të infektuar në të gjithë botën.