Epidemilogu Ilir Alimehmeti ka publikuar një studim në lidhje me efektshmërinë e aspirinës tek pacientët e prekur nga COVID. Ai shprehet se studiuesit e Universitetit “George Washington”, Washington DC (SHBA) kanë dalë në përfundimin se aspirina është një shtim i mirë dhe i logjikshëm në trajtimi e COVID-19. Alimehmeti thotë se aspirina përdoret prej muajsh në trajtimin e COVID-19, por këto rezultate na mbështesin më fort në përdorimin parandalues të saj.
“Analizoni të shkuarën, vlerësoni të tashmen dhe vizualizoni të ardhmen.” Cit.: Thomas Watson Sr. Miqtë e mi, lajme të mira mbi përdorimin në COVID-19 të një mjekimi të njohur mirë! Tashmë e dimë mirë që risku kryesor i pacientëve me COVID-19 janë fenemonet trombotike.
Por, prej dekadash kemi një medikament të përdorur rutinë për parandalimin e trombozave: ASPIRINËN.
Në një studim retrospektiv me kampion relativisht të kufizuar, studiuesit e Universitetit “George Washington”, Washington DC (SHBA) studiuan efektin e aspirinës dhe i botuan gjetjet në revistën prestigjioze Anesthesia & Analgesia, organ zyrtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Kërkimit mbi Anestezinë.
Në total u studiuan:
412 pacientë të shtruar në spital me COVID-19, nga të cilët
312 pacientë nuk kishin marrë aspirinë, dhe
98 pacientë që kishin marrë aspirinë gjatë 7 ditëve përpara shtrimit, ose 24 orët e para të shtrimit.
Gjetjet janë mbresëlënëse.
Grupi i trajtuar me aspirinë shfaqi:
Ulje 44% të riskut për ventilim mekanik,
Ulje 43% të riskut për t’u shtruar në terapi intensive, dhe
Ulje 47% të vdekshmërisë në spital.
Në përfundimet e tyre autorët shprehen:
Përdorimi i aspirinës mund të jetë i lidhur me rezultate më të mira të pacientëve të shtruar në spital me COVID-19.
Megjithatë, për të vlerësuar lidhje shkakësore ndërmjet përdorimit të aspirinës dhe dëmtimit pulmonar dhe vdekshmërisë së pacientëve me COVID-19, nevojitet një provë klinike me grup kontrolli me përzgjedhje rastësore dhe fuqi statistikore të përshtatshme.
Në fakt, aspirina përdoret prej muajsh në trajtimin e COVID-19, por këto rezultate na mbështesin më fort në përdorimin parandalues të saj.
Duke marrë parasysh që aspirina është gjerësisht e disponueshme, me çmim të ulët dhe me efikasitet dhe siguri të studiuar shumë mirë tashmë, është një shtim i mirë dhe i logjikshëm në trajtimi e COVID-19.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT”, shkruan Alimehmeti.