Mjeku ndërhyri për të parandaluar një sherr,goditet me tullë në kokë

Një mjek është goditur me tullë në kokë pasditen e sotme në spitalin e Durrësit.

Paraprakisht raportohet se mjeku Gerald Kola u godit teksa kishte ndërhyrë për të ndarë tre persona, të cilët po ziheshin në ambientet e spitalit.

Gazetari i Report Tv në Durrës, Artur Korriku thekson se tre personat, dy nga të cilët ishin nga e njëjta familje kishin të afërmit e tyre të shtruar në spital. Familjari i një tjetër pacienti u kërkoi dy personave të tjerë që të mos diskutonin me zë të lartë dhe në këtë moment, përplasja nga verbale ka përfunduar në fizike.

Mjeku Kola ka ndërhyrë për t’i ndarë, por njëri prej tre personave e ka qëlluar me tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime. Mjeku ka marrë plagë në kokë dhe në pjesën e gojës nga goditja, ndërsa po mjekohet dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Për ngjarjen janë arrestuar dy persona, ndërsa i treti është shpallur në kërkim nga policia e qytetit bregdetar. Gazetari i Report Tv thotë se policia ka shkuar me shumë vonesë në spital, edhe pse është vetëm 200-300 metra larg.

E ndërsa ngjarja e sotme sipas të dhënave të para dyshohet se ka qenë aksidentale, pak ditë më parë në QSUT u dhunua një mjek duke sjellë vendimin e ministrisë së Shëndetësisë, që kufizoi oraret dhe qëndrimin e familjarëve në ambientet e spitalit./Shqiptarja

Loading...