Kanë mbetur vetëm pak ditë nga hapja e shkollave dhe infeksionisti Pëllumb Pipero ka treguar disa zgjidhje në rastet që do të kenë persona të prekur me Covid. Mjeku u shpreh se mbyllja e shkollave nuk është zgjidhja për të shmangur përhapjen e sëmundjes por të izolohet rasti.
“Hapja e shkollës është një lajm shumë i mirë. Unë kam qenë pro hapjes së shkollës, madje i përmbahem thënies ‘hapja e shkollave është hapje e shoqërisë’”- duke theksuar se kjo do të shoqërohet me një protokoll të rreptë e bazik nga të gjithë aktorët, me qëllim që të shmanget përhapja e infeksionit.
“Nëse në shkollë na del një rast pozitiv ndaj Covid-19, nuk është zgjidhje mbyllja. Nuk duhet të mbyllet shkolla, por duhet të gjejmë mënyrat për të izoluar rastin dhe familjen pa ndërprerë procesin”, – u shpreh Pipero.
Mjeku nuk la jashtë vëmendjes kujdesin që duhet të tregojnë të gjithë dhe këshilloi prindërit që të punojnë me fëmijët duke i shpjeguar me detaje rregullat për tu mbrojtur nga Covidi.
“Prindërit duhet të punojnë me fëmijët, t’i kritikojë fëmijët pa i stresuar. Nëse tregoni kujdes për duart, për bankën, nëse respektoni orën e mësimit, pushimet gjithashtu, nëse zbatoni rregullat dhe kufizoni aktivitetet, çdo gjë mund të vijojë normalisht”, u shpreh mjeku infeksionist.