Mjeshtra dhe zejtarë vlonjatë do të udhëtojnë nesër drejt qytetit të Ulqinit, Mali i Zi, për të marrë pjesë në Panairin e organizuar nga Komuna Ulqin dhe shoqata ” Globus Art” , në “Ditët e Ulqinit”.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlore, ftesës zyrtare të organizatorëve, ju përgjigj pozitivisht duke organizuar pjesëmarrjen në Panair të disa prej Mjeshtrave më në zë të Bashkisë së Vlorës të cilët ushtrojnë veprimtarinë krijuese e përpunuese në punime me dru, gur, hekur, guacka e fosile, baltë, allçi e aplikacione të ndryshme.
Kështu gjatë ditëve të Panairit në Ulqinin shqiptar do marrin pjesë mjeshtrat, Avenir Troqe, Axhi Dapaj, Axhem Binaj, Dushan Mezinaj e Vladimir Kamberi.
Panairi i Ulqinit, një rast më shumë për të promovuar punime e vlera nga trashëgimia jonë kulturore në mënyrë artizanale por edhe artistike.
Mjeshtrat dhe artizanët vlonjatë kanë nisur të “flasin” përballë kërkesave të kohës e sidomos tregut turistik brenda e jashtë vendit.
Drkk Vlore një shëmbull se si institucionet kulturore të shtetit mund të vënë në lëvizje potenciale të heshtura trashëgimie, vlera të qenësishme të kulturës tonë kombëtare.
“Art Craft” e gatshme për pjesëmarrje dhe promocione në shërbim të vlerave tradicionale të punimeve artistike por edhe imazhit të Vlorës tonë turistike./Sejmen Gjokoli