Trupi i pajetë i Diego Maradonës mbërriti në pallatin presidencial në Buenos Aires (Argjentinë), ndërsa vendi është në zi kombëtare për humbjen e legjendës në moshën 60-vjeçare.
Ndërsa një turmë tifozësh që qanin u mblodhën jashtë, arkivoli i Maradonës u nxor nga ambulanca dhe u dërgua në pallat, aty ku do të qëndrojë gjatë 3 ditëve të zisë kombëtare.
Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës argjentinase Diego Armando Maradona ka prekur të gjithë botën e futbollit dhe jo vetëm.
Ikona argjentinase ndërroi jetë të mërkurën në shtëpinë e tij në Tigre, afër Buenos Airesit, pas një sulmi në zemër.
Maradona gjatë karrierës si futbollist ka luajtur për klube, si Barcelona dhe Napoli, ndërsa ishte kapiten i Argjentinës në fitimin e Kupës së Botës në vitin 1986.
Ai u bë jashtëzakonisht i njohur me golin me dorë të shënuar ndaj Anglisë në çerekfinale që u quajt si ‘Dora e Zotit’.