Monika Kryemadhi: “Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar!Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij”

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me përgjimet e bëra publike ditën e sotme nga media prestigjioze gjermane “Bild” e cila denoncoi përfshirjen e kriminelëve në procesin zgjedhor në Dirrës në bashkëpunim edhe me përfaqësuesit më të lartë të PS-së në këtë Qark.

Kryemadhi shprehet se faktet e “Bild” i kanë vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi për llogari të Rilindjes, dhe shton se kjo sipas saj nuk është e gjitha çfarë ka ndodhur në proceset e kaluara zgjedhore në të gjithë vendin.

Reagimi i plotë:

Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes.

Këto fakte janë vetëm një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve.

Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën.

Në fotografi mund të shikoni Edin të rrethuar nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit. Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë.

Për çdo shqiptar është më se e qartë:
Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri.

Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime.

Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij.
Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes.

Asnjë hap pas!

Loading...