Ka nisur protesta e gjashtë kombëtare e protestuesve të opozitës përballë kryeministrisë.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shoqëruar nga mbështetësit e saj ka lënë selinë e partisë për t’iu drejtuar bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku po zhvillohet edhe protesta e opozitës.
“Të gjithë shqiptarët janë këtu dhe asnjë sdo të ikë. Do ikin kriminelët.
Jemi këtu dhe nuk kemi për të ikur. Shtëpinë e mban i zoti në fund të fundit.
Ajo që shihet është një pjesëmarrje e madhe dhe përveç emocionit ndjejmë edhe përgjegjësi për të gjithë këta qytetarë që i përgjigjen thirrjes së opozitës.
Ne sot në atë shesh protestojmë për të gjithë ata socialistë që e kanë të pamundur të jenë aty, për të gjithë ata policë që i vendos qeveria e krimit përballë qytetarëve, për të gjithë atë administratë e cila ndihet e intimiduar.
Ne jemi të vendosur në rrugën tonë dhe jemi më të fortë se kurrë. Ne sot tregojmë që jemi vërtetë europianë dhe dëshira e shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së është më e madhe se çdo flamur politik”, tha Kryemadhi për gazetarët.
Rreth 1700 forca policie janë vendosur në terren për të garantuar sigurinë.
Nëpërmjet protestave, opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, si dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, sipas tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme