Ajo u zotua se LSI dhe opozita e bashkuar janë gati për plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut për hapjen e negociatave, ndërkohë nuk ka harruar pa përmendur edhe Reformën Zgjedhore.
Sipas saj, Rama po e zvarrit atë pasi tmerri i kryeministrit janë pikërisht zgjedhjet. Në fjalën e saj, ajo tha se mungesa e dialogut politik, vonesa në ngritjen e institucioneve të drejtësisë, dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi ishin përpjekjet e Ramës për kapjen e drejtësisë.
“Më 8 tetor të vitit 2019, shqiptarët morën edhe një goditje tjetër në ëndrrën e tyre europiane. “JO”-ja nga Bashkimi Evropian, ishte një shuplakë tjetër në fytyrën arrogante të kësaj qeverisje.
Një gjë është e qartë, realiteti virtual i gënjeshtërt që Rama mendon se konsumojnë çdo ditë shqiptarët. Nuk mund të funksionojë edhe me partnerët evropianë.
Ata nuk mund të gënjehen më kur shikojnë se si Shqipëria, faktor historik për paqen e stabilitetin në rajon, po kthehet në një provokator i këtij stabiliteti nga aventurat, akrobacitë apo amatorizmi i kryeministrit në politikën e jashtme, ashtu siç e paralajmëroi Bundestagu gjerman me 9 kushtet e tij.
Tashmë ka dalë edhe boja e fasadës së lyer nga Rama, se në Shqipëri ka një normalitet politik. Këtë e dinë mirë dhe e shprehin edhe partneret tanë. Mungesa e dialogut politik, mungesa dhe vonesa në ngritjen e institucioneve të drejtësisë, dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk ka më dyshim që ishin përpjekje e Ramës dhe alibi e tij për kapjen e sistemit të drejtësisë. Me një qellim, ruajtjen e vetes dhe bandës së tij nga ndëshkimi për grabitjen dhe skandalet në kurriz të shqiptarëve.
Tashmë fasadës i ka dalë boja. Evropa nuk i tha “JO” shqiptarëve, por autokratit Edi Rama. 9 kushtet që Bundestagu i vuri Shqipërisë janë shumë të qarta.
LSI dhe opozita e bashkuar ka patur gjithnjë gatishmërinë për të realizuar të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave. Por, si gjithmonë, ka vetëm një person që nuk e do hapjen e negociatave; dhe ky është Edi Rama, i cili nuk do që të ketë më shumë BE në Shqipëri, se kështu merr fund uzurpimi i pushtetit dhe vjedhja qe i bën shqiptarëve”.