Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”,provokimi në teatër

Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” e shkrimtarit shqiptar, Ridvan Dibra, rrëfen historinë e Madalenës, në tri fazat e jetës së saj, fazat kyçe të një femre, siç thotë autori.

E shkruar me një stil mjaft të mprehtë dhe e interpretuar me mjeshtri nga aktorja Arjola Demiri, shfaqja do ta vërë publikun përballë situatave të ndryshme që kalon personazhi i Madalenës së bukur, të sinqertë, e shpesh edhe naive. Madalena, përgjatë një ore, sa shfaqja zgjat, na shpalos historinë e saj, që është historia e shumë femrave shqiptare. Përmes rrëfimit të saj, herë komik, e herë shumë dramatik, ajo na bën të kuptojmë se sa e vështirë është të jesh femër, e sidomos të jesh femër në një tokë të sertë si kjo e jona.
Regjisori Ben Apolloni thotë se gjithmonë i ka pëlqyer të merret me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore.

“E, Ridvan Dibra është mjeshtër i ironisë, prandaj edhe vepra e tij, në prozë e dramë, më pëlqen shumë”, shton ai. Sipas Apollonit, shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e ndërtuar mbi tekstin dramaturgjik të Dibrës, është një shfaqje teatrore “rreth ushkurit”, “një shfaqje që na provokon që në titull, duke na vënë përballë dashurive të një virgjëreshe, duke na vënë përballë figurës, për mua kryesore, të krijimtarisë letrare të autorit. Janë disa skena e detaje, që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë, me sa më shumë prej atyre që do ta shohin shfaqjen! Arti, përveç të tjerash, më pëlqen të jetë edhe provokues, të na vërë në siklet, të na prekë ku nuk guxojmë ta prekim veten”.

Teater

VEPRA
“Jam vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, sapo i kam mbushur, dhe siç e keni marrë vesh tashmë, quhem Madalenë. Nuk e di kush ma ka vënë emrin. Mami fajëson babin. Babi-mamin. Të dy fajësojnë gjyshin, që s’jeton më. Mua më pëlqen emri im, edhe pse shoqet më thonë se duket i ndryshkur, si i shekullit të kaluar”… Për një javë rresht, aq sa u dha në Teatër, unë i ndoqa të gjitha shfaqjet strukur në njërën prej lozhave të fundit. Me një ndjesi të përhershme ankthi e paniku se mos spektatorët aty poshtë dinin diçka për ‘rastin tim’ dhe vëmendja e tyre përqendrohej te unë. Porse frika ime dukej e kotë: spektatorët qenë të interesuar për historinë time dhe jo për praninë”. I mbështetur mbi një monodramë të hershme të autorit, por me ndryshime thelbësore në strukturë e përmbajtje, romani i shkrimtarit Ridvan Dibra me titullin “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” u botua në nëntor.

Në qendër të veprës është fati i një femre me emrin Madalenë – përqendruar në tri periudha të rëndësishme e vendimtare të jetës së saj: në moshat 15, 25 e 40 vjeçe, ku përcaktuese bëhet sidomos etapa e parë, ajo e adoleshencës. Sepse pikërisht në këtë periudhë problemi numër një i Madalenës, shqetësimi i saj kryesor bëhet humbja e virgjërisë. Dhe këtu nis tjetërsimi e absurdi i këtij karakteri: Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rrethana të tilla ajo vendos të kërkojë ndihmë. Po ku? Institucionet që mund t’i gjendeshin pranë e ta ndihmonin, si familja, shkolla, shoqëria janë në krizë të plotë e të denatyruara. Derisa Madalena vendos një ditë të zhvirgjërohet! Krejt pa dëshirën e saj. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Nën shenjën e këtij “vendimi” të hershëm e të detyruar (të tjerët, koha, mjedisi), përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike, në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, pasqyrohen edhe dy etapat e tjera nga jeta e Madalenës, por edhe e katër shoqeve të saj. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi. Ndërtimi i rrëfimit në vetën e parë, përfshirja e vetë autorit (Ridvan Dibra) si personazh në vepër, komunikimet e shpeshta e të drejtpërdrejta të heroinës me lexuesit e vet etj.
(Balkanweb)

Loading...