Mori pe ng një qytetar dhe e lanë pa ndjenja në rrugë, e pëson keq i ‘forti’ i Vlorës

Një 40-vjeçar përfundoi në prangat e policisë së Vlorës pasi akuzohet se ka dhunuar me sende të forta duke e plagosur rëndë një shtetas, ngjarje e ndodhur në fillim të këtij viti.

Operacioni “Sundimi i ligjit”, përfundoi me arrestimin e shtetasit, Alfred Ndoj. Ai është personi i katërt dhe i fundit që arrestohet nga policia për pengmarrjen dhe dhunimin barbar të një shtetasi, më 19 janar 2023.

Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Bashkëpunëtor për pengmarrjen e një shtetasi dhe për plagosjen e tij me sende të forta, ndalohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim. Ndalimi i 40-vjeçarit, rezultat i koordinimit të informacioneve dhe bashkëpunimit ndërmjet Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Vlorë dhe Policisë së Lezhës.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës, më datë 19.01.2023, si dhe i shkëmbimit të tyre me shërbimet e Policisë së Lezhës, u bë i mundur, në kuadër të operacionit policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, ndalimi i shtetasit A. N., 40 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë i ka caktuar 40-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

Përmbledhja e rastit: Më datë 19.01.2023, shtetasi A. N. dhe 4 shtetas të tjerë (të arrestuar nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit “Pengmarrja”), për motive të dobëta, kanë mbajtur me forcë, në automjet, shtetasin G. O., e kanë plagosur atë rëndë, me sende të forta, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Loading...