Murati: “Parlamenti u mbush me analfabetë nga Basha dhe kr.iminelë nga Rama “

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, deklaroi në rubrikën “Opinion”, se Struktura e Posaçme (SPAK), që pritet të ngrihet së shpejti, nuk do të nisë hetimin nga “koka” e problemit, pra nga politikanët e korruptuar.

Sa i takon Reformës në Drejtësi, Murati tha se deri më tani ka qenë shumë i ngadaltë, megjithatë po jep rezultate, pasi ka “djegur” shumë prokurorë e gjyqtarë.

“Reforma në Drejtësi është deri tani e ngadaltë. Nëse do të zbatohet rreptësisht ligji i Vettingut, 800 prokurorë e gjyqtarë do të ikin. Dhe kjo ka ndodhur deri tani. Por, është një fakt interesant se një pjesë e tyre druhen dhe të kandidojnë për institucionet e reja të drejtësisë, pasi kanë frikë nga hetimi. Ka një shqetësim me pritshmëritë se çfarë do të bëjë SPAK. Mendoj se ka një pritshmëri më të lartë se ç’duhet. Është krijuar ideja sikur SPAK do shkojë direkt te politikanët, por janë rreth 170 dosje te Krimet e Rënda, që do transferohen te SPAK. Me ngritjen e SPAK, gjithë zyrtarët e hipotekës, kadastrës, do jenë në hetimin e kësaj strukture. Pra, mendoj se SPAK nuk do të nisë te “koka” e problemit, te korrupsioni i ministrave, ish-ministrave etj”, tha Murati.

Do gjendet një kleçkë për ta penguar SPAK në hetim?
Uroj që këto institucione të jenë produktive, por nga të dhënat që kemi puna e tyre nuk do shkojë direkt te krerët e politikës, te kryetarët e partive, ministra, ish-ministra, ish-kryeministra. Akoma nuk flasim dot për “peshq të mëdhenj”. Uroj që institucionet e reja ta nisin nga politikanët këtë punë, por ky proces nuk mund të ndodhë menjëherë. Kemi folur dhe me diplomatë, dhe ata japin mesazhin se kemi të bëjmë me një proces, nuk mund të ndryshojë çdo gjë menjëherë si me shkop magjik. Por, duhet një ndërgjegjësim i drejtuesve të Prokurorisë, të cilët do të trajnohen nga FBI. Drejtuesit e sotëm të Prokurorisë nuk janë ndërgjegjësuar për rolin e tyre.

Ne nuk presim që të vijë një hero që të ndryshojë rrënjësisht sistemi i drejtësisë, por mendoj se procesi i pastrimit të korrupsionit politik do jetë një proces i gjatë, që nuk e kanë premtuar as institucionet e reja të drejtësisë, as ndërkombëtarët, dhe çuditërisht nuk e kanë kërkuar as përfaqësuesit e opozitës. Kur kemi një opozitë që nuk ka guximin, apo nuk ka prova, se këtu ka zyrtarë të lartë të korruptuar, që t’i denoncojë ata, pritshmëritë bëhen më të ulëta.

Reforma Zgjedhore, nevojë e brendshme ose kusht që duhet plotësuar?
ka 26 vite që flitet për reforma në këtë vend, bëhen premtime elektorale dhe e keqja e reformave është se flitet gjithmonë në kohën e ardhme, pra “do të…”. Pra, e ushqejnë popullin me lugë bosh, se bilanc nuk ka. Kemi të bëjmë me gjithë bashkëfajtorët, pasi në thelb nuk mendoj se partive politike ju intereson një reformë e vërtetë zgjedhore, që të jetë nën kontrollin e shoqërisë civile apo drejtësisë. Sa herë një parti ngjitet në pushtet, e harron kauzën për bërjen e një reforme. Problemi i vendit është se ligjet nuk zbatohen.

PD është investuar në çështje të panevojshme për të, e ka ulur stekën shumë javët e fundit, teksa flet për Reformën Zgjedhore. Vetë Basha tha se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës është Reforma Zgjedhore. Kriza në vend është multidimensionale. Opozita shpenzon në mënyrë të panevojshme energji duke folur përditë për Reformën Zgjedhore.

Cila do ishte kauza e duhur për të ulur palët?
Për sa kohë opozita i ka ndërprerë protestat, formalisht është vendosur paqja. Ulja e palëve në tryezë nuk është qëllim në vetvete. PD mund të ulet për ta diskutuar problemin për Reformën Zgjedhore, por unë mendoj se problemi i Shqipërisë nuk është ndryshimi i Kodit Zgjedhor sot për sot. Sistemi mazhoritar është kthim mbrapa. Njëra palë zgjodhi kriminelë, tjetra zgjodhi injorantë dhe kemi këtë Parlament me këtë sistem. Kemi njerëz të përfshirë me krimin dhe analfabetë dhe kjo është përgjegjësi personale e Bashës dhe Ramës. Një sistem me lista të hapura do t’i shkonte më shumë për shtat situatës në vend.

Loading...