Një javë më parë portalet i bënë jehonë deklaratës së Mustafa Nanos gjatë shfaqjes së tij në Teatrin Eksperimental, se për herë të parë e kishte bërë me një mashkull.
Në monologun e kësaj jave në “Provokacija”, Nano thotë se ka dashur të prekë atë pjesë shqiptarësh që i kap tartakuti përballë gay-ve. Ai shton se nuk fyhet aspak nëse e quajnë të tillë pasi edhe nëse do të ishte gay, do ta thonte publikisht këtë gjë.
“Nuk di se cili portal ishte i pari. Por nuk më ha meraku për këtë gjë. Sepse nuk fyhem, nëse më quajnë gay. Nuk më fyejnë hiç fare. Madje, po ju them një gjë: Me mendjen që kam, sikur të isha gay, do ta thoja publikisht këtë gjë. E do ta thoja jo sepse kështu do ndihesha më i qetë. Këtë nuk kam se si ta di. Madje kam frikë se nuk do të isha më i qetë. Nuk ka se si të jesh më i qetë në Shqipëri, nëse je gay i deklaruar.
Unë do ta thoja publikisht këtë gjë për një arsye tjetër, do ta thoja thjesht për t’u prishur qetësinë një pjese shqiptarësh, që në fakt janë me mijëra, ndoshta qindra mijëra, ndoshta më shumë, e që i kap tartakuti, apo që bëjnë sikur i kap tartakuti, përballë një gay-i. Do ta thoja publikisht këtë gjë për të sfiduar një pjesë të shoqërisë shqiptare. Dhe përsëris: Nuk do të ishte çliruese apo shpërblyese për mua:,- shprehet ai
“Dua t’u them edhe një gjë të fundit këtyre të fundit. Të dashur barbarë! Mos harxhoni kaq shumë energji kundër gay-ve në Shqipëri. Lërini të tjerat, por nuk ka gay në Shqipëri. Numërohen me gishtat e dorës. Kështu që kot kapeni me gay-t. Nuk janë gay-t problemi juaj, mirëpo po ta kuptonit këtë gjë nuk do të ishit barbarë.
Nuk janë gay-t problemi i Shqipërisë. Dhe jo sepse janë pak. Edhe sikur të ishin të shumtë në numër, problemi ynë nuk do të ishin ata. Kurrsesi. Nuk kish se si. Në doni ta dini, problemi i Shqipërisë jeni ju. Dhe jo sepse urreni gay-të. Por sepse mendjen e keni të vogël, dhe të mbyllur, si brenda një korace, blinde, kasaforte”, tha Nano./balkanweb