Nano iu referua një historie të bërë publike në televizion, ku një vajzë rrëfente se është qepur tek gjinekologu në mënyrë që t’i pëlqente djalit me të cilin planifikonte të fejohej.
Ndërkohë, kjo vajzë nuk është e vetmja që e merr një vendim të tillë. Moderatori në monologun e tij flet për radhë të gjata te mjeku, ndërsa thekson se ne i kemi dhënë një ngarkesë morale të jashtëzakonshme një membrane, që është një pjesë e trupit, që në të vërtetë duhet të ketë ngarkesë morale po aq sa një puçërr.
Nisur nga kjo situatë, Nano nuk kursen aspak djemtë shqiptarë, të cilët siç thotë ai, kërkojnë vajza të virgjëra.
“Kur ju vetë nuk jeni të virgjër, ju duhet ta qepni gojën. Dhe duhet ta dini se gjithçka që meritoni është një vajzë e qepur, jo një vajzë e virgjër. Jo sepse me këtë do t’ju bjerë një fat i keq”, shprehet Nano.
Monologu nga Mustafa Nano:
Ja një histori që e dëgjova në programin e televizionit News 24 “Jeta pa filtër”. Një vajzë 18 vjeçe fejohet. Fejohet me nipin e burrit të tezes. Është tezja që bën shkesin. Sepse ajo donte ta shihte mbesën në një lidhje me një djalë për së mbari. Dhe mes të dyjave bëhet kjo bisedë. -“Të pëlqen nipi i burrit tim, filan fisteku?”- “Po, më pëlqen.” -“Si thua për një lidhje serioze me të? Ia vlen.” -“Ashtu mendoj dhe unë.” -“Po ti je e virgjër? Se ai të do të virgjër.” -“Jo, nuk jam.” -“Po si t’ia bëjmë?” -“Nuk di ç’të them.” -“Duhet të shkosh të qepesh te gjinekologu.” -“Ok, që nesër.”
Shkon, dhe atje gjen vajza të tjera që kishin të njëjtin hall. Donin të qepeshin. Ju e dini ç’është qepja, apo jo? Qepja është procesi i rekuperimit të cipës së virgjërisë. Kështu e kemi quajtur ne prej kohësh që nuk mbahen mend: cipa e virgjërisë. Do të ishte një emërtim i bukur, nëse virgjërisë së vajzave nuk do t’i jepnim simbolikën morale që ne i japim. Mirëpo, ne ia japim virgjërisë së gruas këtë simbolikë morale. Dhe kështu, me mënyrën se si e kemi pagëzuar, ne e kemi shndërruar në një nëmë, në një mallkim. I kemi dhënë një ngarkesë morale të jashtëzakonshme një membrane, që është një pjesë e trupit, që në të vërtetë duhet të ketë ngarkesë morale po aq sa një puçërr, sa menisku i gjurit, apo mukoza e hundës, apo llapa e veshit, apo një dhemb i qumështit, apo një dhemballë e pjekurisë.
Po thoja që qepja është një ndërhyrje kirugjikale për ta ripërftuar cipën e famshme. Merren mbetjet e cipës që janë ende në vaginë dhe qepen, qepen literalisht, bashkohen me njëra tjetrën. E kështu, në rast se vajza kryen një akt seksual, cipa do të shqepet sërish, për pasojë do të ketë hemoragji. Është kjo që duan të shohin një pjesë djemsh shqiptarë. Kur shohin gjak në shtrat, ia bëjnë me vete: Bingo! Dhe e quajnë veten me fat. E quajnë veten të zgjuar.
Djem të tillë vetëm të zgjuar nuk janë. Sipas meje, nuk janë në rregull, nuk mbushin mirë. Dua të bëj një diskutim me këta djem. Dhe po u drejtohem atyre: “Ju kërkoni një vajzë të virgjër, dmth një vajzë që të mos ketë shkuar me asnjë djalë, dmth ju doni që të jeni djali i parë i saj, dhe i vetëm. Kështu? Epo dijeni që kjo është e pamundur. Çdo vajzë ka pasur gjithnjë një djalë, me të cilin ka shkuar të paktën mendërisht. E ka pasur një djalë, për të cilin ka fantazuar. Sepse më e para gjë që një vajzë do, që nga momenti që kupton se kush është vetë e çfarë është kjo botë, është: të dojë e të duhet. Nuk është se do që të ketë një cipë virgjërie, apo të ketë një burrë. Jo, do të dojë dikë e të duhet nga dikush.”
Kjo është njëra anë. Ka edhe një anë tjetër. Ju djem që kërkoni vajza të virgjëra, a jeni vetë të virgjër? Nëse po, atëherë e ka një logjikë që ju të kërkoni një vajzë gjithashtu të virgjër. Dhe unë ju heq kapelen. Jo që jeni të virgjër. Por që jeni koherentë. E që respektoni rregullin e artë, që e kanë të gjitha filozofitë, kulturat e fetë e moçme, i cili thotë: “mos kërkoni nga tjetri atë që vetë nuk jeni në gjendje t’ia jepni”. Për këtë, përsëris, ju heq kapelen. Por kjo nuk ju bën djem të mirë apo të mençur. Jo, kjo nuk ka lidhje.
Ama kur ju vetë nuk jeni të virgjër, ju duhet ta qepni gojën. Dhe duhet ta dini se gjithçka që meritoni është një vajzë e qepur, jo një vajzë e virgjër. Jo sepse me këtë do t’ju bjerë një fat i keq. Jo, jo, një vajzë e qepur mund të jetë një vajzë e shkëlqyer. Por sepse ju vetë, po ta dinit se keni marrë një vajzë të qepur, do vuanit si qen. Kjo do të ishte drama e jetës suaj.
Rrofshin vajzat e qepura! Sepse vetëm ato ju tallin ashtu siç e keni hak: duke ju dhënë atë që nuk e kanë, e që nuk ka pse ta kenë: cipën budallaqe që ju e quani cipën e virgjërisë. Edhe njëherë: rrofshin vajzat e qepura! /abcnews.al