Vërtetë që sezoni turistik i verës ka përfunduar, por në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat (Muzeu Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik) fluksi i vizitorëve vazhdon të jetë i lartë dhe përherë në rritje duke e krahasuar me vitin e kaluar.
Këto muze të cilët janë një vlerë e trashëgimisë tonë kulturore, kanë mirëpritur 3249 turistë më shumë krahasuar me tetorin e vitit 2017, duke regjistruar 7451 vizitorë (177%) prej të cilëve 5097 janë të huaj e 727 vendas, 1047 nxënës e studentë dhe 1245 vizitorë që kanë përfituar shërbime falas.
Për periudhën janar – tetor 2018 numri arriti në 56155 vizitorë, 17332 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Qendra Kombëtare e Muzeve për periudhën janar – tetor 2018, mblodhi të ardhura rreth 91 071 400 lekë nga shitja e biletave, 2 400 320 lekë shumë se periudha janar – tetor 2017.
Pak histori mbi muzetë
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.
Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.
Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu Kombëtar Onufri në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. /a.a//e.caushi/