Muzetë e Krujës, atraksion turistik për nxënësit nga gjithë Shqipëria(foto)

Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, por përveç këtyre një vend të veçantë në vend zë edhe turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Qyteti dhe kalaja historike e Krujës po kthehet në një destinacion atraktiv dhe mjaft i veçantë për t’u eksploruar dhe gjatë muajit nëntor ku këtë herë vizitorë ishin nxënës shkollash.

Nxënës nga gjithë Shqipëria kanë zgjedhur të vizitojnë Krujën dhe Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu gjatë nëntorit. Nxënës nga Tropoja deri në Gjirokastër, por edhe shumë shkolla të kryeqytetit vizituan kalanë historike të Krujës e cila pasqyron historinë dhe gjurmët që la në vendin tonë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu cilësohet si më i vizituari në vend,dhe kalaja e Krujës renditet ndër destinacionet e preferuarara të turistëve.

Viti i Skënderbeut i ka ridimensionuar muzetë dhe objektet e vizitueshme që lidhen me figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve, duke bërë që jo vetëm turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, por edhe qytetarët shqiptarë të tregojnë interes për këto atraksione historike.

Ajo që e bën unik këtë muze është fakti që aty ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./atsh

Loading...