“Na hapët barkun” me Alvinin – Nga Bledi Mane

“NA HAPËT BARKUN” ME ALVININ
Nga Bledi Mane-Public Enemy
1./
Lotonte natyra sot me shiun e rrëmbyeshëm që derdhtte mbi Shqipëri, lotonin prej gëzimit edhe shqiptarët prej lajmit që morrën. Natyra qante natyralisht se ka stinën e vjeshtës, plot hipokrizi lotonin arnautasit për lirimin e vogëlushit nga kampi famëkeq i terroristëve në Lindjen e Afërt.
2./
Alvin Berisha, djali i Valbonës që u vra në Siri dhe i biri i Afrimit që jeton në Itali, sot shijoi pas shumë vitesh lirinë e munguar të një vocërraku. I marrë peng nga trishtimi, mllefi dhe urrejtja e një nëne, është rrugës për tu kthyer te babai. Te babai që ka pjesën embrionale të fajit, të mëkatit…
3./
Afrim Berisha nuk është thjesht një emigrant shqiptar në Perëndim. Është burri tipik patriakal që i ikën fukarrallëkut financiar por zhytet thellë e më thellë në tribalizmin e ndyrë mental. Atë tribalizëm nuk e le në katundin e tij në Shqipëri por e merr me vete edhe matanë Detit. Misioni i tij është të sjellë para në shtëpi, të mbarsë gruan dhe ta burgosi brenda murreve të shtëpisë. Gruaja shqiptare e emigruar në Perëndim ka mikrovalën, ka lavatriçen, ka Digitalbin, ka internetin por nuk mund të gëzojë kurrësesi lirinë e punës, lirinë e socializimit, integrimit apo të punës në vendin ku emigron. Dhe familje të tilla unë njoh dhe kam takuar me qindra nga Londra në Montreal, nga Berlini në Milano. Vajza të reja që martohen mes dashurisë dhe shkjesisë por përfundojnë skllave të të drejtës zakonore të bashkëshortëve të tyre. Gruaja pjell, rrit, lan dhe ushqen fëmijët në kurbet. Burri e sjell me pushime në gusht, takon familjarët dhe rikthehet në burgun e arkitektonuar nga burri tipik shqiptar. Ky i fundit harron se gruaja e adhuron lirinë dhe punën e ndërsa gruaja duron e më pas plas nga marrazi, burri shkon qan dhe përgjërohet në tokën e ferrit, në tokën siriane apo irakiane.
Burri, burri pra që i ndërtoi burgun modern gruas shqiptare e ka fajin. Burri e ushqeu me mungesë lirie dhe me marrje fryme ndaj ajo grua e braktisi dhe shkoi të jepte jetën në emër të mungesës së lirisë.
4./
Alvin Berishën kthejeni në Itali por jo në shtëpinë e babait të tij. Atje mungon sërisht liria dhe një tjetër grua po bëhet gati të iki në Siri. Atëhere do jetë shumë vonë dhe do duket bajate sakrifica e dytë e qeverisë, medias, shoqërisë civile kur të fillojnë të qajnë e të qurraviten përsëri. Ndihma jonë më e madhe është të emancipojmë mashkullin shqiptar dhe tia marrim çelësat e prangave me të cilat ka burgosur gruan. Burrat që burgosin gratë janë frikacakë dhe egoistë të sëmurë. Burrat që burgosin gratë i shikojnë ato si rivale, janë burra që ndihen gra por fshihen poshtë mustaqeve të tyre!

Loading...