Na ike Maksim Sotiri- Nga Sejmen Gjokoli
– Homazh për shokun, kolegun e patriotin tim gjirokastrit, Maksim Sotiri-
Na qëlloi të ndajmë bashkë vitet e adoleshencës po edhe të rinisë shkollore e asaj të punës në Memaliaj, në minierë.Me rrënjë në Zagorien e Çajupit por lindur e rritur kantiereve minerare ku i jati, Ilia, shërbente gjithëherë në ndërmarrjet e furnizimit të punëtorëve.
Dhe duket se kjo lidhje e nisi edhe drejt shkollës së mesme në Teknikumin e minierave në Prenjas e mandej në Fakultetin e Gjeplogji – Minierave në Universitetin e Tiranës. Bashkë gjithandej, madje edhe mbas diplomimit me titullin “inxhinier miniere”, të dy në Memaliaj, në minierën më të madhe të vendit.Nga inxhinierët e drejtuesit më të aftë të kohës, si profesionist i fushës por edhe si njeri me dimesione të gjëra njerëzore e shoqërore.
Inxhinier i apasionuar, drejtues i aftë e kualitativ në sektor e në ndërmarrje, një personalitet i pa diskutueshëm.
Kështu në Memaliaj po kështu edhe në minierat e tjera si në Valias, Priskë etj. kur ju desh të punonte në fillimin e viteve nëntëdhjetë.I lidhur shpirtërisht me artin minerar vendosi të mos e “tradhëtojnë” profesionin e inxhinierit edhe kur rendi i ri demokratik u vuri kazmën minierave të vendit.
Ishte ky pasion që mbasi u shkëput nga puna e detyrat shtetërore kaloi organizues e drejtues i një subjekti privat me objekt hapjen e tuneleve minerare në mjaft skaje të vendit, aty ku ujrat e lumenjve kthehen në dritë, madje së fundi edhe në Kosovë.Por vetëm kaq dhe deri këtu. Pas një sëmundje të rëndë e të pa shërueshme shoku e kolegu ynë, zagoriti i mrekullueshëm Maksim Sotiri u nda nga jeta.
Iku duke na lënë pas imazhe e kujtime të jashtëzakonshme si një drejtues profesionist e vizionar, një njeri me interesa të shumta shoqërore, një ish futbollist plot talent me ekipet e Sopotit e Minatorit, një shahist plot pasion që matej me profesionistë.Një shok e mik i mrekullueshëm, një prind shëmbullor, përherë fjalë urtë e buzagaz…Dua të them akoma po tani në mesnatë që mora lajmin e rëndë e më duhet të shkruaj, duart mezi më binden nga dëshpërimi e dhimbja.
Lamtumirë shoku e kolegu ynë i shtrenjtë, Maksim Sotiri !