Naftëtarët e Ballshit vijojnë grevën e urisë teksa në ditën e katërt gjendja e tyre shëndetësore sa vjen dhe rëndohet.
Deri më sot naftëtarët s’kanë pasur asistencë shëndetësore dhe madje s’kanë marrë as përgjigjie për problemin e tyre.
Naftëtarët shprehen të bindur se do të qëndrojnë në grevë deri në orët e fundit të jetës, pasi 4 ditë pas asgjë qëndrojnë në pritje të zgjidhjes së problemit të tyre ekonomik, për të marrë pagat e papaguara.
”Do të vazhdojmë, se një problem kemi, ekonomik. Deri në orën e fundit. Derisa të marrim zgjidhje. S’ka kthim pas. S’kemi arsye të tjera, jemi nga ana ekonomike zero. Ndaj, kemi fëmijët në shkollë. Jemi dhe pa bukë. Jemi krimbur në borxhe. Të sëmurë jemi. Nuk shkojmë të vizitohemi sepse s’kemi lekë për ilaçe. Na premtuan për 7 paga që të linim grevën e urisë. Jo vetëm nuk na i dhanë, na hoqën dhe nga puna.”- tha një naftëtar.
”Sa vjen dhe rëndohem. Më merret fryma në gjoks, ndjej një si helm, dhimbje të këmbëve, gjunjëve, ja shtrirë. Derisa të vdesim këtu jemi. Çfarë do bëj në shtëpi unë? S’kam ti çoj bukë kalamajve. S’ka tjetër rrugë. I kam humbur shpresat.”- tha një grevist tjetër.