Kryeministri Edi Rama, deklaroi gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme, se deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Najada Çomo, ka vendosur të heqë dorë nga mandati i deputetit, për të vijuar të shërbejë në luftën kundër pandemisë.
Sipas Kodit Zgjedhor, Çomo, e cila mbante numrin dy në listën e socialistëve të 25 Prillit, do të zëvendësohet nga kandidatja grua pasuese në listë.
Kandidatja e cila vjen e para në listën e socialistëve është ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
Nuk dihet ende nëse Kodheli do të marrë mandatin e deputetit, apo do të vijojë angazhimin e saj si një nga zëvendëspresidentët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Nëse edhe Mimi kodheli nuk e pranon mandatin e deputetit, atëherë mandati shkon për Dallëndyshe Bicin, ish kreun e Inspektoriatit të Lartë Ndërtimor.