Nard Ndoka: Rudina Hajdari e papjekur, dështim politik

Kryetari i Partisë Demokrisitiane, Nard Ndoka, ka hedhur akuza të forta ndaj deputetes së opozitës parlamentare Rudina Hajdari duke e quajtur një dështim si për PD dhe vetën e saj.

Ndoka tha në Report Tv për gazetarin Besard Jacaj se Hajdari duhet të ishte aktiviste në PD dhe të piqej politikisht dhe nuk mund të merrej menjëherë deputete, pasi nuk kishte përvojën dhe forcën e duhur.

“Rudina Hajdari pati një mungesë pjekuri politike, është normale sapo u rikthye në Shqipëri. Do të ishte e rëndësishme të rritej dhe piqej politikisht. Për mua Rudina Hajdari nuk u fut në PD për arritje e merita personale, por nga historia e familjes dhe emir i të atit. Do të ishte mirë që të ishte aktiviste për disa kohë që të piqej politikisht dhe më pas të bëhej deputete.

Kjo e dëmtoi edhe nga pjesa emocionale. Ajo nuk u përshtat me realitetin, Hajdari ishte një dështim për PD dhe veten e saj”, tha Ndoka.

Nëse do të ketë bashkëpunim dhe koalicion mes dy opozitave asaj parlamentare dhe jashtëparlamentare në të ardhmen, Ndoka the se nuk sheh asnjë problem këtu, përkundrazi disa nga figurat që ndodhen aktualisht në opozitën në Kuvend kanë dhënë një kontribut të madh për të djathtën dhe vetë PD.

Nard Ndoka zbulon dhe bisedat me Lulzim Bashën ku është hedhur ideja e bashkëpunimit me disa nga personazhet e opozitës parlamentare.

“Në opozitën parlamentare ka personazhe që kanë dhënë kontribut tek e djathta dhe kanë qenë historikisht aleat të PD edhe pse pranuan të rrinë apo futen ne parlament, në fund të fundit të ulesh në Kuvend është ëndrra e çdo personazhi që merret me polikë.

Janë shumë të rëndësishme qëndrimet që mbajnë nuk është problemi vetëm tek vota por janë parti të djathta dhe fare thjeshtë mund të jenë pjesë e koalicionit.

Negociatat do të jenë të drejtpërdrejta me Bashën por nuk shoh ndonjë pengesë.

Përkundrazi edhe në bisedat tona formale dhe informale me Bashën disa herë është hedhur ideja se për disa personazhe që kanë dhënë më shumë kontribut se sa kanë bërë gabime të jenë pjesë e frontit opozitar”, tha Ndoka.

Loading...