E kthyer tashmë në një traditë, “Nata e Bardhë” do të vijë mbrëmjen e sotme më e zjarrtë se kurrë. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh festive që përkujtojnë historinë e luftës kundër nazifashistëve, të cilat kurorëzohen sot në mbrëmje në sheshin “Skënderbej” me rastin e “Natës së Bardhë”, ku ngjyrave të Fshatit të Festave do t’u shtohen edhe ritmet e muzikës së zgjedhur shqiptare.
Suksesin e premtojnë zërat më të njohur të muzikës tonë, Aurela Gaçe, Elhaida Dani dhe Vesa Luma, të cilat u pritën në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai u dorëzoi vajzave edhe Kullën e Sahatit të Tiranës.
Duke premtuar një festë të vërtetë, këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ftoi të gjithë shqiptarët që mbrëmjen e sotme të jenë në shesh për të kaluar disa orë plot argëtim e surpriza.
“Jemi shumë të lumtur sot t’ju presim në sheshin “Skënderbej” në ditën e gjithë shqiptarëve, në një festë të Pavarësisë, Çlirimit, për një ‘Natë të Bardhë’ me gocat më të mira që ka prodhuar shqiptaria. Sot kush është shqiptar duhet të jetë në sheshin “Skënderbej” për ditën më të bukur të festave, të gëzimit dhe të fishekzjarrëve që mund të keni parë”, theksoi Veliaj.
“Unë jam vërtet shumë e nderuar që do të këndoj sot në shesh për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që duan të festojnë, për të gjithë ata që fundi i fundit duan të këndojnë, të buzëqeshin. Unë kam një parim: Jeta është shumë e shkurtër dhe nesër askush nga ne nuk e di çfarë do të ndodhë. Jam nga ato natyra që e jetoj jetën si të më vijë për momentin, sot do bëjmë namin”, tha Aurela Gaçe.
Në skenë do të ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë brilant që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar, Sanremo Junior 2012. Gjithashtu, në shesh do të këndojnë edhe Krenar Seiti, Xheisara etj, ndërsa nuk do të mungojnë edhe shumë zëra të tjerë të njohur.m.z/atsh