“Nata e Bardhë” në kryeqytet, surpriza dhe dhe spektakël

E kthyer tashmë në një traditë, “Nata e Bardhë” do të vijë edhe në këtë fund nëntori me plot surpriza dhe më e zjarrtë se kurrë më parë.

Bashkia Tiranë ka menduar që edhe këtë vit për Festën e Çlirimit të vendit, më 29 nëntor, të organizojë një sërë aktivitetesh festive që revokojnë historinë e luftës kundër nazifashistëve dhe do të kurorëzohen me një mbrëmje fantastike në Sheshin “Skënderbej” me rastin e “Natës së Bardhë”.

E gjitha është konceptuar si një festë 24 -orëshe, ku të gjitha moshat do të kenë mundësi të gjejnë veten e tyre, për t’u mbyllur me spektaklin në Sheshin “Skënderbej”, ku ngjyrave të Fshatit të Festave do t’u shtohen edhe ritmet e muzikës. Suksesin e premton këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë dhe asaj popullore shqiptare, Aurela Gaçe.

Krahas divës së muzikës shqiptare në skenë do ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë brilant që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar, Sanremo Junior 2012. Në skenë do ngjiten edhe këngëtarët Krenar Seiti, Xheisara etj.

“Për natën e bardhë, pra për datën 29 nëntor, gjatë gjithë paradites muzetë dhe institucionet shtetërore do të jenë të hapura për publikun. Dhe në mbrëmje do të ketë koncertin festiv në sheshin “Skënderbej” me disa prej artistëve më të njohura”, -u shpreh për ATSH-në, Ester Likaj, specialiste pranë Drejtorisë së Promovimit të Qytetit(Tiranë).

Vitin e kaluar, me rastin e Natës së Bardhë në koncert performoi këngëtarja e njohur britanike, Emeli Sande./ATSH

Loading...