Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s, ka deklaruar se Bjellorusia mund të sulmojë së shpejti Ukrainën, si dhe po përgatitet të lejojë Rusinë të pozicionojë armë bërthamore në territorin e saj.
Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari tha se aleanca ishte e shqetësuar se trupat bjelloruse mund t’i bashkohen luftës në Ukrainë.
“Qeveria bjelloruse po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë kundër Ukrainës dhe vendosjen e afërt të armëve bërthamore ruse në Bjellorusi”, tha zyrtari.
Kujtojmë se zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar publikisht se Bjellorusia mund t’i bashkohet luftës.
Ndonëse Bjellorusia ka lejuar trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur operacione tokësore dhe ajrore, NATO nuk ka ende asnjë provë të fortë që trupat bjelloruse kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, tha zyrtari.
“Nuk po ju them se nesër do të vendosin armë bërthamore. Ajo që dua të them është se ata kanë ndërmarrë hapa politikisht që tani të jenë në gjendje të marrin armë bërthamore nëse merret një vendim i tillë”, shtoi ai.
Zyrtari vazhdoi duke e përshkruar konfliktin në Ukrainë si në prag të hyrjes në ngërç, me forcat ukrainase nga njëra anë që penojnë avancimin e Rusisë dhe me Putinin nga ana tjetër që nuk ka ndërmend të tërhiqet.