Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi të premten se Rusia nuk po jep ndonjë shenjë se do të respektojë kushtet e një traktati të rëndësishëm lidhur me raketat, të epokës së Luftës së Ftohtë dhe se e ardhmja e paktit është në rrezik, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten të largohen nga traktati javën e ardhshme.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi i vitit 1987 ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik ndalon prodhimin, testimin dhe dislokimin e raketave tokësore dhe atyre balistike të afta për të përshkruar distanca nga 500 në 5.500 kilometra.
Në informacionin që Pentagoni ka ndarë me aleatët e NATO-s pohon se sistemi i ri raketor i Rusisë “9M729” shkel kushtet e traktatit. Besohet se raketat që disponon Rusia, i japin mundësinë asaj të nisë një sulm bërthamor në Evropë duke dhënë sinjale të zbehta ose fare pa paralajmërim.
Moska insiston se raketat kanë aftësinë të përshkrojnë distanca më të vogla se 500 kilometra.
Në muajin tetor Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do ta braktisnin traktatin për shkak të dyshimeve se Rusia po e shkel atë. Nëse Moska nuk do t’i përbahet kushteve të tij, Uashingtoni do të nisë procesin gjashtëmujor të largimit nga pakti duke filluar prej 2 shkurtit.
I pyetur se çfarë qëndrimi mbajti Moska gjatë bisedimeve të së premtes, zoti Stoltenberg tha se “në takim nuk kishte progres të vërtetë”, pasi Rusia, siç tha ai “nuk tregoi ndonjë gatishmëri për të ndryshuar qëndrimin e saj”.