Ndahet nga jeta aktori Anastas Nika

Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë aktori dhe regjisori i mirënjohur nga Saranda, Anastas Nika.

Prej rreth një viti ai luftoi me sëmundjen e rëndë, teksa të afërm dhe miq të shumtë iu gjendën pranë për ta ndihmuar edhe ekonomikisht. Ai mbylli sytë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Athinës.
Nika përfundoi Shkollën e Kulturës në Tiranë gjatë diktaturës dhe në atë kohë u aktivizua me shfaqje në Teatër. Megjithatë Ai do të përjashtohej shumë shpej për shkak se siç thuhej në atë kohë, këndonte dhe u mësonte të tjerëve këngë të huaja.

Megjithatë Anastas Nika nuk e braktisi kurrë dashurinë për artin. Pas disa vitesh punë të rëndë dhe kryerjes së shërbimit ushtarak, ai u bashkua me trupën e Teatrit të qytetit të Sarandës.

Vetëm në periudhën 1986-1990, Nikës iu plotësua një nga dëshirat e tij të mëdha jetësore ajo e përfundimit me shumë sukses dhe i dalluar për rezultate, studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, për aktor. Pas diplomimit emërohet aktor në Teatrin Profesionist të Elbasanit.

Anastas Nika ka realizuar me shumë profesionalizëm dhe pasion rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion.

Në qytetin e Sarandës, Anastas Nika u angazhua të ndihmojë shumë të rinj e të reja që ëndërronin botën e aktrimit dhe regjisurës duke i ndihmuar në hapat e para të përgatitjes për Akademinë e Arteve. Disa prej tyre sot janë emra të mirënjohur në këtë fushë.

Loading...