Ndahet nga jeta aktorja Leze Qena

Kosova sot humbi aktoren e madhe Leze Qena e cila ishte në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ishte nën mjekimin intensiv në QKUK.

Për këtë, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke shprehur ngushëllime.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e artistes së njohur Leze Qena, në këto ditë të pandemisë. Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës. Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të saj”, shkroi Thaçi.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Me keqardhje të madhe mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur Leze Qena. Trashëgimia e saj e gjatë dhe e pasur artistike dhe rolet e interpretuara me mjeshtëri kanë bërë që ajo të kujtohet gjithmonë me dashuri nga publiku i saj. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, bashkëpunëtorët dhe të dashurit e artistes së madhe”, deklaroi Veseli./KosovaPress/

Loading...