Ndahet nga jeta banori i Labërisë/ ‘Njeriu i dashuruar përjetësisht me Kallaratin’

NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË HIDAJET BAJRAM TOÇAJ.
Kryesia e Shoqatës Kallarati njofton bashkëfshatarët e saj dhe jo vetëm, për ndarjen nga jeta të kallaratasit, Hidajet Bajram Toçaj, bashkëshorti i Violetës, babai i Artanit, Entonit, Edlirës dhe Dorinës, vëllai i Engjëllit, Sabos, (Agronit dhe Arjanës ndarë nga jeta).
Varrimi bëhet nesër, datë 11.12.2020, ora 11:00, në varrezat e Sharrës, duke u nisur nga funerali “Univers”, në afërsi të rrugës “Bardhyl”, Tiranë.
Hdajeti u lind në Kallarat më 25 Dhjetor 1937, në një familje me ndjenja të theksuara patriotike dhe atdhetare nga prindërit Bajram e Hane (Abazaj)
Pas vdekjes së nënës dhe vendosjes së të atit me punë në Tiranë në moshën 7 – vjeçare largohet nga Kallarati së bashku me familjen për në Tiranë. Pas shumë vitesh arsimimi dhe pune krijon familjen e tij. Një jetë të tërë deri sa doli në pension punoi me përkushtim e devoshmëri si specialist i ndërlidhjes në ushtri dhe Flotën Tregtare.
Hidajeti ishte një bashkëshort i denjë, një prind i shkëlqyer, por edhe një gjysh i dashur. Hidajeti, edhe pse i larguar nga Kallarati në një moshë krejt të vogël, ishte një ndër kallaratasit që e dashuronte më tepër atë. Edhe pse në Kallarat nuk kishte njerëz shumë të afërt, ai shkonte aq shpesh atje pasi të gjithë i konsideronte njerëz të afërt të tij. Ishte i vetmi që e njifnin dhe e respektonin të gjithë, pasi edhe ai i donte aq shumë, jo më kot quhej “Njeriu i dashuruar përjetësisht me Kallaratin”.
Pas daljes në pension ai do të ishte gati çdo muaj në Kallarat, i pranishëm në çdo moment gëzimi e hidhërimi. Para një muaji, duke qenë i sëmurë, bashkëshortja dhe fëmijët e çuan për herë të fundit në vendlindje për t’u çmallur dhe ikur nga jeta i dashuruar me Kallaratin.
Gjatë gjithë jetës Hidajeti, kudo ku punoi në sektorin shtetëror e privat, manifestoi cilësitë më të larta të njeriut, i dashur, i respektuar, gojëëmbël, i kudo gjendur pranë njerëzve, të afërmve, miqve, shokëve, por edhe njerëzve në nevojë. Ai ishte shumë paqësor, kishte një shpirt human dhe shumë i dashur.
Hidajeti ishte një nga anëtarët më të spikatur të shoqatës Kallarati që nga krijimi i saj dhe sidomos i degës së Tiranës, me kontribute të vlerësueshme shoqërore, kontribute të cilat me të drejtë i ishin vlerësuar me dhënien e Çerfikatës “Mirënjohje e Kallaratit”.
Ndarja nga jeta para kohe është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe shokët dhe në mënyrë të veçantë edhe për ne bashkëfshatarët e tij.
Kryesia e Shoqatës Kallarati u shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta familjes dhe pamundësinë e pjesëmarrjes në përcjelljen e tij për në banesën e fundit, për shkak të respektimit të kufizimeve ndaj epidemisë së koronaviruesit!
Qoftë i paharruar kujtimi dhe emri i Tij! U prehtë në Paqe!

Loading...