Ndahet nga jeta Besim Zekthi, kërcimtari legjendar që i dha zë e shpirt valles dhe muzikës tonë tradicionale

Besim Zekthi, mjeshtri i valleve popullore, është ndarë sot nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të valltarit më të njohur shqiptar që arriti të bëjë për vete për vite me radhë të tri brezat.

“Lamtumirë kërcimtarit legjendar, Besim Zekthi”, – shprehet Rama në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besim Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tonë tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.

Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shëngjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, :valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle mzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.

Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”. /atsh

Loading...