Ndahet nga jeta figura e njohur e PD-së

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ndarë me miqtë virtualë në “Facebook” lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të një figure të njohur të PD dhe ish të përndjekurit politik, Sherif Kaloshi.

Teksa përcjell mesazhin e ngushëllimit për këtë humbje, Basha thekson se Kaloshi ishte njëri nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen e qeverisë së parë demokratike për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.

Ndër të tjera, kreu i PD risjell në kujtesë të gjitha vuajtjet e të ndjerit Sherif Kaloshi dhe familjes së tij, teksa shkruan se ishte ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist.

Reagimi i plotë:

Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të Sherif Kaloshit, njërit nga kontributorët më të mëdhenj në përpjekjen vigane të qeverisë së parë demokratike të Shqipërisë për rehabilitimin, integrimin e më vonë edhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.

Sherif Kaloshi e kaloi rininë dhe një pjesë të madhe të jetës së tij në internim, në kampet e përqendrimit të diktaturës, nga Tepelena e deri në Lushnje, ashtu si i gjithë fisi i Kaloshëve, i cili mund të renditet ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist.

Vetë Sherifi mban një rekord të rëndë persekutimi, pasi ai e përjetoi internimin që kur ishte fëmijë në vitin 1945 dhe rënia e komunizmit në vitin 1990 e gjeti sërish në internim.

1990-a e gjeti pinjollin e familjes së madhe patriotike të Kaloshëve të Dibrës, në Gradishtë të Lushnjes dhe ai u angazhua aty ku e kishte vendin një bir i Kaloshëve, në themelimin e degës së Partisë Demokratike të Lushnjes.

Me fitoren e qeverisë së parë demokratike, Sherif Kaloshi dha një kontribut të çmuar për integrimin e të përndjekurve politikë në shoqëri.

Nga 1994-a deri në 1997-n ai drejtoi Komitetin e të Përndjekurve Politikë, një strukturë shtetërore që ngriti gjithë korpusin ligjor që shërbeu më pas për vënien në zbatim të Statusit të ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë nga Sistemi Komunist, si dhe për dhënien e Kompensimit Pasuror.

Nën drejtimin e Kaloshit, Komiteti kreu një punë mjaft voluminoze, në grumbullimin e dokumentacioneve të kësaj shtrese, si dhe përfundoi shpërndarjen e plotë të statuseve, por ky kontribut u ndërpre në mënyrë kriminale nga një qeveri që erdhi në pushtet me armë dhe me filozofinë e restaurimit të luftës së klasave.

Familjes Kaloshi iu desh t’i paguante këtij vendi një tribut edhe në demokraci dhe nipi i Sherifit, Bujar Kaloshi, një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, u vra në 1996-n nga bandat që më vonë drejtuan rebelimin e armatosur të 1997-s.

Largimi i Sherif Kaloshit na lë dhimbjen, por edhe detyrimin se angazhimi i Sherifit dhe i gjithë fisit Kaloshi që shqiptarët më në fund të jenë zot të fateve të veta, që të jenë të lirë të zgjedhin, të zgjidhen, të qeverisin e të largojnë ata që qeverisin keq, nuk do të lihet në mes.

Simbole të qëndresës si Sherif Kaloshi janë një trashëgimi që na jep forcë, janë pjesë e historisë së lavdishme të Partisë Demokratike, por ato janë edhe garanci se ne do ta fitojmë betejën, për të drejtën pa kompromis me të keqen. U prehtë në paqe!

Loading...