Real Madridi mban zi për vdekjen e Francisco Gento, legjendës së klubit dhe futbollistit të vetëm në histori, që ka fituar gjashtë Kupa Evropiane (Champions League). Gento u nda nga jeta të marten, në moshën 88-vjeçare. Aktualisht mbante rolin e presidentit të nderit të Real Madridit.
Klubi spanjoll e kujtoi atë me një deklaratë të gjatë: “Real Madridi, presidenti i tij dhe bordi i drejtorëve shprehin keqardhje të thellë për vdekjen e Francisco Gento, president nderi i Real Madridit dhe një nga legjendat më të mëdha të klubit tonë dhe futbollit botëror.
Real Madridi dëshiron të shprehë ngushëllimet, dashurinë dhe solidaritetin për gruan e tij, Mari Luz, fëmijët e tij, Francisco dhe Julio, mbesat e tij, Aitana dhe Candela, dhe të gjithë të afërmit, kolegët e të dashurit”.
Klubi spanjoll kujton të gjitha sukseset dhe momentet më të rëndësishme të jetuara me fanellën e Real Madridit. “Paco Gento është lojtari i vetëm në historinë e futbollit që ka fituar 6 Kupa Evropiane.
Ai mbrojti fanellën e klubit tonë midis viteve 1953 dhe 1971. Gjatë 18 sezoneve të tij me Real Madridin ai fitoi, përveç 6 Ligave të Kampionëve, 12 La Liga, 2 Kupa Spanjolle, 1 Kupë Interkontinentale, 1 Botëror dhe 2 Kupa Latine.
Te Real Madridi ka luajtur 600 ndeshje dhe ka shënuar 182 gola. Ai ka luajtur me kombëtaren spanjolle 43 ndeshje ndërkombëtare. Paco Gento përfaqëson me besnikëri të gjitha vlerat e Real Madridit, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për klubin tonë dhe botën e sportit.
Tifozët e Real Madridit dhe të futbollit do ta kujtojnë gjithmonë atë si një nga legjendat e tyre të mëdha”.