Paraditen e datës 3 qershor 2019, në Komandën e Forcës Detare u zhvillua ceremonia e lamtumirës per ish – komandantin e Forcës Detare, kapiten i Rangut I Fitim Halili, e organizuar nga Komanda e Forcës Detare, Shoqata e Detarëve dhe familja e të ndjerit. Morën pjesë familjarë, miq e të afërm, ish – ushtarakë, kolegë e shokë të ish – komandantit, kuadro dhe detarë të Forcës Detare.
Zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i Rangut I, Artur Meçollari, pasi shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të zotit Fitim Halili, me anë të një rezymeje vlerësoi përkushtimin e punës së tij gjatë gjithë karrierës ushtarake, duke u ndalur në detyra e ndryshme ku ia ka shërbyer. “Në emër të efektivit të Forcës Detare, i shprehim familjes ngushëllimet më të sinqerta. Jeta dhe vepra e komandant Fitimit, do ngelen në kujtesën e gjithë brezave të detarëve.” , – u shpreh ndër të tjera Kapiten i Rangut I-re, Meçollari.
Në emër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kapiteni i Rangut I, Arsen Mullai lexoi telegramin e ngushëllimit drejtuar familjarëve dhe kolegëve për ndarjen e parakohëshme nga jeta të kapitenit të Rangut I Fitim Halili. Gjeneral brigade Kollçaku midis të tjerave ka shprehur ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Halilit si dhe vlerësoi korrektësinë, përkushtimin dhe kontributin e veçantë të tij në të gjitha detyrat e ngarkuara në Forcën Detare.
Pas homazheve në Komandën e Forcës Detare, sipas traditës së detarëve, pjesëmarrësit shkuan tek Anija “LISSUS”, ku hiri i trupit të tij u hodh në det.