Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare gjuhëtari i shquar

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, Prof. Dr. Jorgji Gjinari (1931–2020), gjuhëtar dhe dialektolog i shquar. Jorgji Gjinari kishte lindur në Berat më 1931, ku edhe kreu shkollimin fillor e më pas shkollën e mesme pedagogjike.

Më 1951 filloi studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar, që u çel atë vit në Tiranë. U diplomua në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në atë institut më 1955. Po atë vit u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, të themeluar rishtas në kuadrin e Institutit të Shkencave.

Së bashku me Engjëll Angonin (1928–2017) dhe Anastas Dodin (1933–2008), ishte ndër gjuhëtarët e parë të shkolluar në Shqipëri. Fusha kryesore e punës së Jorgji Gjinarit si gjuhëtar ka qenë dialektologjia:

Hulumtimi në terren i të folmeve të gjuhës shqipe, brenda e jashtë kufijve të vendit, hartimi i punimeve përshkruese për këto të folme dhe më tej vështrime përgjithësuese për dukuri të veçanta dialektore dhe për struktura gjuhësore të dialekteve.

Gjinari ndërmori një varg ekspeditash në vise të ndryshme të vendit, nga Jugu në Veri, po ashtu në Kosovë dhe te ngulimet arbëreshe të Italisë. Me vëzhgimet dhe materialet e mbledhura në terren hartoi një varg punimesh përshkruese për të folmet e hulumtuara, si e folmja e qytetit të Beratit dhe të folmet e disa krahinave, si Opari, Skrapari, Mallakastra, Myzeqeja, Devolli, Korça (qyteti dhe fusha e Korçës), Bregu i Bunës, Tropoja.

Duke njohur gjithnjë e më mirë veçoritë e të folmeve territoriale dhe duke zgjeruar njohuritë shkencore në fushën e dialektologjisë në veçanti dhe të gjuhësisë shqiptare e të përgjithshme, J. Gjinari filloi të hartojë edhe studime për dukuri të veçanta të sistemit fonetik të shqipes dialektore si edhe disa punime përgjithësuese për toskërishten veriore, për grupimin e të folmeve të saj, për gegërishten jugore, për ndarjen dialektore të gjuhës shqipe, për historinë e strukturës dialektore të shqipes, duke i vështruar disa dukuri gjuhësore në lidhje dhe me historinë e trevave përkatëse dhe të popullit shqiptar në tërësi. Më tej ai kaloi në një sintezë përgjithësuese me veprën “Dialektet e gjuhës shqipe” (1989).

Për vite me radhë J. Gjinari drejtoi punën për një nga veprat përgjithësuese madhore të gjuhësisë shqiptare, “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” (vëllimi i parë 2007, 464 ff. dhe vëllimi i dytë 2008, 601 ff), duke qenë edhe një ndër hartuesit kryesorë të tij, krahas me dialektologët Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj e Xheladin Gosturani dhe me gjuhëtarët Anastas Dodi e Menella Totoni, si bashkëpunëtorë për tema të veçanta. J. Gjinari bashkëpunoi edhe në mbledhjen dhe përgatitjen e materialeve të shqipes për veprën “Atlas i gjuhëve të Europës”.

Njohja e thelluar e dialekteve të shqipes dhe e historisë së tyre i dha mundësi J. Gjinarit të trajtonte edhe tema të rëndësishme lidhur me burimin e gjuhës shqipe, me etnogjenezën e shqiptarëve. Ai është marrë po ashtu edhe me çështje të shqipes së sotme letrare, veçanërisht me marrëdhëniet e gjuhës letrare me dialektet dhe me bazën dialektore të gjuhës letrare. J. Gjinari ka mbajtur për vite me radhë (1958–1989) leksionet e lëndës së dialektologjisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe ka mbajtur ligjërata universitare edhe në Kosovë e në Maqedoni.

Ai ka marrë pjesë në një varg konferencash shkencore kombëtare e ndërkombëtare edhe jashtë vendit, duke bërë të njohura arritjet e dialektologjisë sonë dhe rëndësinë e tyre sidomos për gjuhësinë ballkanike. J. Gjinari ka dhënë ndihmesa të rëndësishme në veprimtarinë e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.

Ai ka qenë anëtar i Këshillit shkencor të Institutit, anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike” dhe i komisioneve për organizimin e të gjitha konferencave shkencore e për botimin e materialeve të tyre. Ka dhënë ndihmesën e tij të vyer edhe si anëtar i komisionit organizues dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor 1972). Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, me rastin e 85-vjetorit të tij të lindjes organizoi një konferencë shkencore të posaçme, ku u vunë në dukje meritat dhe ndihmesat e shumta të prof. dr. Jorgji Gjinarit në fushën e dialektologjisë dhe të gjuhësisë shqiptare në tërësi.

Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare në emër të anëtarëve të saj i shpreh familjes Gjinari ngushëllimet më të sinqerta e të thella për ndarjen nga jeta të njeriut të dashur, prindit të urtë, zemërgjerë e fisnik.

Loading...