Leonard Gjata, regjisor i njohur i Radio Televizionit Shqiptar ka ndërruar jetë. Mësohet se ai ka mbyllur sytë përgjithmonë dje pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Të shumtë janë miqtë që kanë shkuar për ikjen e tij.
Një prej tyre, ish-drejtori i Programacionit në RTSH, Andrea Nathanaili shkruan se arkivoli i Leonard Gjatës duhet të dilte nga hollet e institucionit ku punoi gjithë jetën.
“Lamtumirë Nard Gjata!
Ike sot i qeshur, o njeri i ndershëm dhe punëtor i palodhur i Televizionit Shqiptar. U largove sot i qetë, o regjisori pasionant dhe novator i Televizionit publik! Ike “i lodhur” nga sëmundja e gjatë, por i qetë se Arkivin e TVSh-së e le plot me spektakle televizive, festivale, variete e koncerte njëri më I bukur se tjetri, paçka se “barbarët” e zbrazën atë Arkiv nëpër vite. Arkivoli yt mik i dashur, duhet të dilte nga hollet e institucionit ku punove gjithë jetën me përkushtim. Por…
Ti ke 8 vjet që nuk “besdis” e “lodh” njeri, veç familjes tënde, Mirës së dashur dhe Inidës!
Ti jeton Leonard Gjata!
Unë ndofta jam i fundit që shkruaj dy rrjeshta, duke lotuar për ty! Se para meje shkroi Misheli, Bashkimi, Gjergji, Ilirjani, Pandi…e ata janë larg, shumë larg fizikisht, e kohë pandemie i dashur Nardi, ndaj unë vura një Lule edhe për ta sot.
Që Ti të prehesh i qetë, Miku ynë i Mirë”, shkruan Nathanaili.