Ndalimi i gjuetisë, shtohet fauna e egër në parkun Shebenik-Jabllanicë(foto)

Moratoriumet e gjuetisë në pyje po japin rezultat, duke sjellë rigjenerim të faunës së egër. Gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura po dëshmojnë çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë.

Vendosja e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, ka bërë të mundur mbrojtjen dhe shtimin e kafshëve në parkun e Shebenik-Jabllanicës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehet se, ”dikur të kërcënuar për shkak të gjuetisë së paligjshme, sot të mbrojtur nga moratoriumet. Pamjet më të fundit të kamerave kurth në Parkun Shebenik-Jabllanicë, krahasuar me të njëjtin vit më parë në të njëjtën zonë, tregojnë praninë e shtuar të kaprollit, derrit të egër, dhelprës, ujkut”.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, me një sipërfaqe prej 34 mijë ha, lartësi prej 300 – 2264 m mbi nivelin e detit, ka një ekosistem natyror shumë të pasur me bimësi, kafshë e shpendë të egër dhe ku gjendet rreth 32% e florës së gjithë Shqipërisë.

Nga kafshët e egra vrojtohen ariu i murrmë, ujku, kaprolli, derri i egër, lepuri etj. Gjithashtu, ka prani edhe të Rrëqebullit të Ballkanit, felinit më të madh në Europë.

Parku i Shebenikut tashmë po kthehet në një atraksion turistik duke u frekuentuar gjithnjë e më shumë nga një numër i lartë vizitorësh.

Fototografitë më poshtë tregojnë pamje të mrekullueshme nga kamerat kurth të parkut. /atsh

Loading...