Ndalohen dhjetë efektivë policie në Korcë e Sarandë

Dhjetë efektivë policie dyshohet se janë përfshirë në afera kontrabande në pikat kufitare të vendi, kryesisht në Qafë Botë, duke futur mallra dhe makina kontrabandë në Shqipëri pa respektuar asnjë nga rregullat e zhdoganimit.

Prokuroria e Tiranës, Drejtoria e Doganave dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave me një deklaratë të përbashkët për mediat kanë dhënë detaje për goditjen e paligjshmërisë në pikat kufitare të vendit, ku janë dokumentuar disa raste kontrabande.

Katër prej efektivëve të policisë janë lënë në burg dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga detyra.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha se ky kontrabandim është sinjalizuar edhe nga autoritetet franceze dhe më pas edhe me bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare, është bërë e mundur dokumentimi i plotë i një sërë rastesh abuzive. Ajo tha se edhe punonjësit e Policisë kanë shkelur ligjin dhe janë bërë pjesë e procesit kontrabandues.

“Prokurori ka kryer hetime intensive për kontrabandën edhe për shpërdorimin e detyrës. Pjesë e kësaj veprimtaria janë edhe Punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë shpërdoruar detyrën apo duke u bërë pjesë e veprimtarive”-tha Imeraj.

Prokurorja e çështjes tregoi edhe emrin e personit, i cili dyshohet të këtë futur disa makina kontrabandë duke shmangur detyrimet doganore.

“Shtetasi Arben Grabovari e ka kryer këtë veprimtari në pika të ndryshme si në Kapshticë, Qafë Botë dhe në Morinë.

Të përfshirë 10 punonjës policie, është caktuar masa arrest me burg për 4 policë dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës dhe po hetohen për shpërdorim e saj”-tha ajo.

SHÇBA procedon 10 punonjës të Policisë Kufitare, për shpërdorim detyre

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, pas një hetimi disa mujor kanë dokumentuar dhe goditur një rast të shpërdorimit të detyrës ku dyshohet se janë të implikuar dhe punonjës të Policisë Kufitare.

Procedimi penal është regjistruar për veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera, më shumë se një herë” parashikuar nga neni 174/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A.G., i cili është nën masën “Arrest në burg”.

Gjatë hetimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave, janë kryer verifikimet ku ka rezultuar se vetëm ky shtetas, ka arritur të futet në territorin shqiptar me 54 automjete (relativisht të shtrenjta) për të cilat vetëm për 5 prej ka kryer zhdoganimet, për periudhën 2017–2019. Dyshohet përmes lidhjeve me punonjës në strukturat e Policisë Kufitare është kryer veprimtaria e kontrabandimit të mjeteve motorrike, kryesisht në Pikat Kufitare Qafë-Botë dhe Kapshticë.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, SHÇBA në 24 orët e fundit, në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit, Sarandë dhe Korçë, të mbështetur dhe nga strukturat operacionale të SHÇBA-së, ekzekutuan 10 vendimet e Gjykatës.

Kështu arrestuar 4 punonjës policie, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”:

Inspektor Sh.G., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
Inspektor N.L., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
Inspektor K.Ç., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
Inspektor Th.Gj., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë.
Gjithashtu është caktuar dhe masa e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për punonjësit e policisë:

Inspektor A.P., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë-Botë, Sarandë;
Inspektor A.H., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
Inspektore E.Sh., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
Inspektore E.D., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
Inspektore F.M., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
Inspektore J.K., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Loading...