Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të publicistit të njohur Kristaq Xoxa.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se profesor Kostaq Xoxa ishte një mësues i palodhur i shumë brezave në kryeqytet dhe një anëtar themelues i Shoqatës së të përndjekurve politikë dhe i gazetës së tyre “Liria”.
Kryetari i PD-së kishte njohje personale me publicistin, pasi bashkëshortja e tij Merita Xoxa ka qenë mësuesja e Bashës.
“Mësova me hidhërim të thellë largimin prej nesh të Kostaq Xoxës, publicistit të njohur, gazetarit aktiv në shtypin e pasviteve ’90 dhe djalit të një prej themeluesve të shkollës së gazetarisë moderne të viteve ’30, Zoi Xoxës.
Emrin e Kostaq Xoxës e gjen si redaktor në dhjetëra libra me kujtime të të burgosurve politikë, e gjen si bashkautor në publikime të vyera mbi gjuhësinë, historinë dhe memuaristikën, e gjen edhe si aktivist të dorës së parë në shumë beteja për të drejtat që do ta afronin Shqipërinë me botën perëndimore. Qindra mijë lexues e kanë patur Kostaq Xoxën një këshilltar të dorës së parë në letërkëmbimet publike që ai mbante në shtypin e shkruar.
Profesor Kostaq Xoxa ishte një mësues i palodhur i shumë brezave në kryeqytet dhe një anëtar themelues i Shoqatës së të përndjekurve politikë dhe i gazetës së tyre “Liria”.
Me profesor Kostaqin kisha njohje personale, sepse ai ishte bashkëshorti i mësueses time Meritës. Shumë herë gjatë këtyre viteve në politikë, unë konsultohesha me këtë çift iluministësh, ata ishin burim energjie dhe referencë se betejat për dijen dhe të drejtën gjithmonë ja dalin mbanë, me sado kundërshtarë të përballen.
Me largimin e profesor Kostaqit, unë humba një mësues të vyer, kurse mësuesja ime Merita humbi njeriun e saj më të shtrenjtë.
Unë i gjendem pranë asaj dhe Nelit e Jetonit në këtë çast të dhimbshëm me bindje se ëndrra e Kostaq Xoxës që Shqipëria të bëhet vendi i së drejtës, vendi i denjë europian që ai dhe i ati i tij, publicisti Zoi Xoxa dëshironin, të bëhet sa më shpejt realitet. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.