Aktorja e njohur, Laurel Goodwin, e cila ka luajtur me Elvis Presley në filmin e vitit 1962 “Girls! Girls! Girls!”, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.
Goodwin, e cila gjithashtu u shfaq në pilotin e parë të refuzuar të bërë për “Star Trek”, të titulluar “The Cage”, ndërroi jetë sipas një nekrologjie të postuar nga familja e saj, ndërsa shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur.
Ish-modelja ka lindur në Wichita të Kansas, më 11 gusht 1942, por më vonë u zhvendos në San Diego gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimisht në San Francisko me familjen e saj.
Pasi mbaroi shkollën e mesme Lowell, ajo ndoqi pasionin e saj për aktrimin duke studiuar për dramë në Universitetin Shtetëror të San Franciskos, shkruan “People”.
Goodwin më vonë nënshkroi një kontratë me “Paramount Pictures” në moshën 19-vjeçare.
Filmi i saj i parë i madh ishte komedia muzikore e vitit 1962 Girls!Girls!Girls, në të cilin ajo luajti përkrah Mbretit të ‘Rock and Roll-it’.
Ajo vazhdoi të shfaqej në filma të tjerë si “Papa’s Delicate Condition”, “Stage to Thunder Rock”, “Law of the Lawless” dhe “The Glory Guys”.
Përveç suksesit të saj në film, Goodwin u shfaq edhe në shumë role në televizion.
Sipas IMDb, paraqitje të tjera televizive përfshinin “The Hero”,“The Partners”,”The Beverly Hillbillies”,”Get Smart”,”The Virginian” dhe “Run Buddy Run”, ndër të tjera.
Goodwin ishte gjithashtu e përfshirë në prapaskenë me bashkëshortin e saj, Walter Wood. Në vitin 1983, çifti prodhoi “Stroker Ace”, me protagonistë Burt Reynolds dhe Loni Anderson.
Pasi u tërhoq nga aktrimi në 1971, Goodwin ndoqi një karrierë në infermierinë në shtëpi dhe më vonë u kujdes për burrin e saj kur ai u sëmur deri në vdekjen e tij, “sipas StarTrek.com”.