Arkeologu i njohur shqiptar, Kosta Lako, ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 72 vjeçare. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur miku i tij Kristo Kauri përmes një psotimi në rrjetet sociale.
Ai shkruan se ikja e Lakos ka trishtuar jo vetëm familjarët, por miqtë dhe të afermit të cilët shprehin ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur.
Po kush ishte Kosta Lako një ndër figurat e njohura në Sarandë por më së shumti si arkeolog?
Lako lindi me 22 dhjetor 1949 në qytetin e Sarandës. Pasi mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1967 filloi studimet në Fakultetin Histori- Gjeografi në Tirane, ku i mbaroi në viti 1971.
Në janar 1972 fillon punën si mësues në shkollën e mesme “Hasan Tahsini”. Në tetor 1975 fillon punën në Muzeun Historik të rrethit. Më 1976 me krijimin e Bërthamës Arkeologjike të rrethit, kalon arkeolog.
Në vitet 1975-1976 drejton gërmimet arkeologjike në Butrint, sektori C.
Në janar 1981 deri në vitin 1995, emërohet bashkëpunëtor shkencor dhe përgjegjës i Berthames Arkeologjike Sarandë.
Ka mbrojtur disertacionin për gradën “Doktor Shkencash me temë: “Qyteti i Onhezmit në antikitetin e Vonë”.
Gjatë viteve 1991-1993 ka qenë anëtar i stafit të ekspeditës së përbashkët shqiptaro-greke të zhvilluar në Butrint.
Në vitin 1997 si shumë intelektuale emigroi në Greqi dhe punoi në Muzeun Arkeologjik të Akropolit deri ne vitin 2017 ku doli ne pension.
Ka botuar shumë artikuj shkencor brenda dhe jashtë vendit, ku ka pasqyruar me nivel shkencor punën dhe zbulimet e Tij në gërmime.