E veja e ish-kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, Mirjana Markoviç është ndarë nga jeta.
Sipas mediave serbe ajo ka ndërruar jetë rreth orës 15:00. Sllobodan Millosheviq ka qenë ish- president i Serbisë dhe Jugosllavisë. Ai njihet edhe si kasapi i Ballkanit.
Por kush ishte Sllobodan Millosheviqi, njeriu që urrehet nga mijëra shqiptarë?
Sllobodan Miloseviq lindi në Pozharevc të Serbisë, me 20 gusht të vitit 1941. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1964 mbaroi fakultetin e drejtësisë në Beograd.
Me politikë ai filloi të merret qysh i ri. Anëtar i Partisë Komuniste ishte që prej vitit 1959. Për vite të tëra ka kryer shërbime të ndryshme në Komitetin e komunistëve të Beogradit.
Për pesë vjet me radhë Sllobodan Millosheviq ishte drejtori i përgjithshëm i sipërmarrjes “Tehnogas”, e më vonë edhe kryetar i Bankës së Bashkuar të Beogradit, ku ishte deri në vitin 1983.
Një vit më vonë, Millosheviqi zgjidhet për kryetar të Lidhjes së komunistëve të Beogradit. Ndërsa në maj të vitit 1986, emërohet kryetar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë.
Pas paraqitjes së tij në Fushë të Kosovës, dhe fjalisë së famshme, se popullin serb nuk guxon ta rrahë askush, Millosheviqi fiton simpati të jashtëzakonshme të Serbëve. Nga Kosova nisen valë të mëdha të protestave, të cilat kulmin e arrijnë në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, në vitin 1989.
Krimet që ka kryer ai, janë më të rëndat në Evropë pas atyre të nazizmit. Të gjitha këto krime janë lejuar dhe kryer në sy të bashkësisë ndërkombëtare. Madje, nën “mbrojtjen” e tyre siç ishte Srebrenica në Bosnjë që ishte nën zonën e sigurisë së Ushtrisë Holandeze. Mbi 8 mijë burra dhe djem të rinj u vranë në këtë masakër.
Krime të ngjashme Millosheviqi nisi të kryente edhe në Kosovë. Por, nuk u lejua që këto krime të ishin të përmasave të Bosnjës dhe Kroacisë.
Millosheviqi u akuzua për gjenocid, bashkëpunim në gjenocid, dëbim; vrasje, përndjekje politike, racore ose fetare, veprime çnjerëzore/zhvendosje me forcë, shfarosje, burgosje, torturë, vrasje të qëllimshme, burgosje të paligjshme, shkaktim të vuajtjes së madhe të qëllimshme, por ndërroi jetë në qeli para se dënohej për krime kundër njerëzit.