Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçari profesori i njohur shqiptar i kaligrafisë, Shyqyri Nimani, i cili është dhe hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Nimani ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Ai lind në Shkodër më 6 maj 1941 në një familje me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i biri i Ramiz Shyqri Nimanit dhe Hatmane Batushës; i ati kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare.
Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi.
Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976-1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979-1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës.
Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991-1994. Merrej me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja.