Ndizen dritat e Pemës së Vitit të Ri te Sheshi Skënderbej

Situata e krijuar nga pandemia këtë vit ka bërë që të dritat e pemës së Vitit të Ri këtë vit të mos ndizen me 6 dhjetor por janë ndezur mbrëmjen e kësaj të diele, ku data shënon 22 nëntor.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në Shqipëri, ku ditën e sotme janë ndezur dritat e pemës gjigante të vendosur në sheshin ‘Skëndërbej’. COVID-i i zbehu bukurinë edhe këtij momenti, por që tashmë duket se të gjithë jemi mësuar të sakrifikojmë për të mirën e shëndetit.
Dritat janë ndezur nga 10 fëmijë të vegjël, aq sa lejon vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë ku kënduan këngët e Krishtlindjeve dhe të Vitit të ri.
Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përmes një videomesazhi thekson se këtë fundvit duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “po”.

“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet.

E megjithatë jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara.

Ndaj, këtë fundvit duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “po” .

Për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit.

Unë e di që ky vit prej tërmeteve, prej pandemisë ka qenë shumë i vështirë për shumë familje.

Disa kanë humbur shtëpinë, disa kanë humbur të afërmit e tyre, disa të tjerë janë ende duke vuajtur pasojat e COVID-it ose duke u përballur në frontin e parë të kësaj beteje.

E megjithatë duhet të japim mesazhe shprese të një Tirane që nuk përkulet, të një qyteti që ecë përpara, të një komuniteti që bëhen bashkë si në ditët e vështira ashtu dhe në ditët e gëzimit.

Prej protokollit të pandemisë shumë aktivitete janë ndaluara, shumë tubime, shumë festa, shumë organizime me njerëz janë gjithashtu të ndaluara.

Kjo është arsyeja pse sot sheshit “Skëndërbej” në këtë ndezje të dritave të festave ua kemi lënë 10 vogëlushëve, sa është numri që lejohet në çdo aktivitet.

Shumë gjëra janë ndaluar këtë fundvit, por nuk është ndaluar dashuria, nuk është ndaluar mirësia, nuk është ndaluar bamirësia, nuk është ndaluar solidariteti.

Ndaj duhet të gjejmë kurajo për t’u ngritur bashkë përtej vështirësive për t’i qenë pranë atyre që kanë nevojë ose për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave tona të rëndësishme si pandemia apo i gjithë procesi i rindërtimit. Gëzuar festat”, tha Veliaj.

Loading...