Këtë të diel në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të “E Diela Shqiptare”, në Tv Klan, ka ndodhur diçka e pazakonte që nuk kishte ndodhur më parë në 7 vite transmetim.
Këtë e thotë vetë moderatori Ardit Gjebrea. “Si asnjëherë tjetër në këto 7 vite të programit “Shihemi në Gjyq”, nuk ka ndodhur që të kemi 3 javë rresht duke u marrë me të njëjtët personazhe dhe me të njëjtën temë, por ashtu siç thotë Zonja Eni që dera jonë është e hapur për këdo që do të vijë dhe të ballafaqohet, “telenovela” vazhdon.”
Vetë Qemal Bushi, personazhi kryesor i kësaj historie, thotë me shaka se tashmë mund të kërkojë punë pranë “E Diela Shqiptare”.
Ardit Gjebrea: Kemi Qemalin. Zoti Qemal përshëndetje. Tashmë jeni bërë i shtëpisë këtu.
Qemal Bushi: Tashmë jam bërë i shtëpisë dhe po kërkoj edhe një punë këtu,të vazhdoj punë me ju se u bëmë si në telenovela.
Ardit Gjebrea: Është Anila, bashkëshortja e Qemalit. Dhe javën e kaluar, të telefon folëm me vëllain e zotit Qemal, me zotin Afrim, i cili dëshironte të vinte dhe të sqaronte se si qëndronte puna, duke shpresuar se sot do t’i japim fund një herë e përgjithmonë kësaj historie.
Zonja Eni: Sikundër Arditi e tha është java e tretë e familjes Bushi, e pazakontë, e jashtëzakonshme, por nga ana tjetër edhe me një domethënie shumë të madhe Ardit. Pas 7 vitesh, ndërmjetësimi po bëhet pjesë e familjeve shqiptare. Faleminderit edhe një herë të gjithë shqiptarëve për mirëkuptimin, mbështetjen dhe një mirënjohje të madhe nga ana ime. Pas tre javësh sollëm vëllezërit, ata me të cilët në fakt duhej të fillonte kjo seancë ndërmjetësimi. Por u desh kohë që edhe ju të bindeshit. Uroj shumë qe kjo seancë të ndihmojë në sqarimin përfundimtar dhe në zgjidhjen pse jo të kësaj çështjeje.