Ndoka: “Djegia e mandateve,vendim i guximshëm”

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka thotë se asnjëherë nuk e ka menduar të mos i bashkohet vendimit ekstrem politik të opozitës për të mos e dorëzuar mandatin e deputetit.

Ndoka thotë se opozita nuk mund të vijonte të ishte pjesë e një parlamenti ku të drejtat e saj ishin të mohuara, ku kryeministri nuk kishte lënë më hapësira për bashkëpunim me opozitën.

“Kryeministri sot qeveris pa gjykata, madje refuzon edhe kontrollin e lartë të shtetit të cilat janë dy kandidatura që i ka kthyer, është një institucion që e kontrollon kryeministrin dhe kabinetin e tij, një kryeministër që tashmë kërkon të kapë të gjithë shtetin, dhe në këtë sens opozita po mbante një kosto të madhe politike dhe morale.”, tha Ndoka për emisionin “Kjo Javë”.

Për Ndokën vendimi i opozitës ka kostot e saj, pasi nuk ka një bashkëpunim institucional me maxhorancën.

“Propaganda e kryeministrit ishte aq e madhe sa qytetarët filluan ta quajnë edhe opozitën si bashkëfajtore, pra si dy pjesë të kalbura të këtij sistemi për faktin që ata mendonin se si një kryeministër i kapur duke vjedhur votat e tyre vijon të qeverisë akoma.

Si ka mundësi që një kryeministër me kaq shumë skandale vazhdon të qeverisë akoma. Dhe hedhin fajin te opozita, pse kjo opozitë nuk është e aftë të largojë këtë maxhorancë. Vendimi i guximshëm i opozitës, e ndan tashmë qartazi fajin” u shpreh Ndoka.

Ndoka sqaron se vendimi për dorëzimin e mandatit, diskutohej prej kohësh brenda opozitës dhe nuk ishte kryedemokrati Basha iniciator i saj.

“Basha është një politika i një formati europian. Basha asnjëherë nuk e donte hapin ekstrem.

Pasi gjithmonë ka tentuar të ketë një frymë kompromisi, konsensusi në politikën shqiptare e ka provuar një gjë të tillë edhe me marrëveshjen e famshme të 17 majit, pati jashtëzakonisht probleme për atë marrëveshje për faktin se ishte një marrëveshje krize dhe jo një marrëveshje e një logjike normale politike e një konsensusi të ngritur në mënyrë institucionale, në këtë sens nuk ka qenë Basha iniciator i djegies së mandateve, kanë qene shumë zëra brenda, kanë qenë edhe kryetarët e partive opozitare” u shpreh Ndoka.

Loading...