Menjëherë pas emërimit të drejtorit të ri të policisë për kryeqytetin jane bërë publike edhe lëvizjet e para në komisariatet e Tiranës.
Shef i komisariatit 6, emrohet Ardrit Elmazi. Më parë ai ka qenë shef i Kom 3, në Tiranë.
Në krye të Kom 3 emërohet Robert Losha.
Lirohet nga detyra e shefi i komisariatit 6 te policisë, Pal Marku.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar sot para deputetëve të Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare disa propozime “Për disa ndryshime në Ligjin 12/2018 “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë Së Shtetit, Gardës Së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”. Ministri tha se ndryshimi thelbësor që propozohet ka të bëjë me heqjen e limitit kohor, që ishte caktuar në mars të vitit 2020, që konsiderohet si i pamundshëm për t’u realizuar.
Fjala e ministrit Lleshaj:
Të nderuar anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare,
Ardhja jonë këtu lidhet me një propozim të rëndësishëm që Këshilli i Ministrave ka bërë në lidhje me disa ndryshime në ligjin, po e themi për Vettingun, meqenëse po përdorim këtë term, propozim që lidhet me nevojat për ta bërë këtë ligj të zbatueshëm në mënyrë që ne të marrim atë produkt, i cili synohet prej tij.
Policia e Shtetit është ndër strukturat e administratës shtetërore si institucione publike, të cilat gëzojnë një besim të lartë në Shqipëri dhe madje sipas shumë sondazheve të besueshme dhe me reputacion, Policia renditet në krye të institucioneve sa i përket besueshmërisë publike.
Megjithatë kjo nuk do të thotë që Policia e Shtetit mos të ketë nevojë për të parë në radhët e saj, për të përmirësuar, për të kërkuar më shumë integritet, profesionalizëm dhe përkushtim nga punonjësit e saj.
Aq më tepër kur ne jemi në një fazë shumë të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, e cila është në një fazë vendimtare, por që nuk mund ta lëvrojë ose ta ofrojë kurrë rezultatin e pritur pa pasur edhe një Polici bashkëpunuese, për arsye se policia dhe organet e drejtësisë, janë pjesë e të njëjtit sistem, që kujdeset për më shumë drejtësi në vendin tonë. Kështu që edhe Reforma në Drejtësi, suksesi i saj është i lidhur shumë ngushtë me reformat në Policinë e Shtetit, ndër të tjera dhe me realizimin me cilësi dhe në kohën e duhur të vettingut.
Problemi kryesor, i cili është identifikuar gjatë kësaj periudhe, që lidhet me ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit, lidhet me realizimin e tij. Sipas ligjit aktual, Vettingu në Policinë e Shtetit duhet të përfundojë në mars të vitit 2020. Në qoftë se ne do të konsiderojmë kohën që është dashur për të kaluar procesin e vettingut për rreth 100 prokurorë dhe gjyqtarë, pra rreth 2 vjet, do të kuptojmë fare qartë që për të kaluar një proces të rregullt dhe të kujdesshëm, vettingu për rreth 13 mijë punonjës të Policisë, të Gardës dhe SHÇBA-së, do të kërkojë një kohë shumë herë më të gjatë se sa koha, e cila është praktikisht në dispozicion me ligjin aktual. Për arsye se ligji ka parashikuar vitin 2020 siç thashë, pranverën e vitit 2020, më saktë marsin e vitit 2020, për ta mbyllur procesin.
Duke parë këtë situatë, pas diskutimeve të rëndësishme që janë kryer në strukturat e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e SHÇBA, është konkluduar se ne duhet të ndërmarrim disa ndryshime formale, të cilat nuk prekin kurrsesi thelbin e ligjit.
Ndryshimet konsistojnë, pa hyrë në detaje, konsistojnë së pari në heqjen e limitit kohor, i cili ishte marsi i vitit 2020 për mbylljen e procesit. Pra, ne i japim kohë vetes për të vazhduar procesin e vettingut edhe më gjatë, në mënyrë që ai të realizohet gjerësisht.
Së dyti, nuk është prekur asnjë kriter, asnjë standard, pra ngelen po të njëjtat kritere dhe standarde, por është ndryshuar diçka që ka të bëjë me trupat që do të kryejnë vettingun. Ligji aktual parashikon një trupë të jashtme vettingu dhe dy trupa të brendshme vettingu. Është propozuar që trupa e jashtme të mbetet, ndërkohë ajo e ka filluar punën, pra komisioni i jashtëm i vettingut, i cili përbëhet nga personalitete të caktuara nga fusha të ndryshme, që kanë ardhur nga jashtë Ministrisë dhe jashtë sistemit të policisë apo të organeve që vetohen, dhe kjo trupë e jashtme do të kryejë detyrën siç është parashikuar dhe në ligjin aktual. Pra do të kryejë vettingun për pjesën kryesore të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të SHÇBA-së.
Ndërkohë që ligji aktual parashikon ngritjen edhe të dy strukturave të tjera të brendshme, pra i komisionit qendror dhe të komisioneve vendore, të cilat do të kenë për detyrë pastaj të vazhdojnë procesin e vettingut për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, për pjesën më të madhe të saj.
Sipas analizave tona, krijimi i këtyre grupeve ad-hoc është i komplikuar dhe nuk do të sillte atë që pritej, as në kohën e duhur por as në cilësinë e duhur për arsye se, pak a shumë bëhet fjalë që trupat e brendshme të ngrihen me staf të vetë Ministrisë së Brendshme, thjesht që t’i largojmë nga detyra dhe të kryejnë një funksion në kuadër të strukturave ad-hoc.