Ndryshimet ligjore, synohet nxitja e interesit për librin

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit në fushën e librit, si dhe duke marrë shkas nga rënia e theksuar e interesit për librin dhe nevoja për nxitjen e kulturës së leximit, Ministria e Kulturës paraqet për konsultim publik draftin paraprak të ndryshimeve në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.

Ndryshimet e ligjit në fjalë synojnë të ndryshojnë situatën në vend lidhur me librin dhe leximin, krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve financiare dhe shtimin e burimeve njerëzore në dispozicion për fushën e librit, përmirësimin e klimës së botimeve në vend, lehtësimin e librit si produkt intelektual nga tatimi mbi vlerën e shtuar, si dhe ofrimi i mundësive dhe shanseve të barabarta për të gjithë komunitetin e botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe studiuesve.

Lehtësimi nga numri i ekzemplarëve të kopjeve të detyruara që dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekat vendore, është një tjetër hap që ka për qëllim të reformojë dhe lehtësojë marrëdhënien ndërmjet botuesve dhe institucioneve të ruajtjes së kujtesës në vend, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë standardeve bashkëkohore.

Gjithashtu, në draftin e paraqitur shprehet vullneti për të lehtësuar Bibliotekën Kombëtare dhe rrjetin e bibliotekave publike në Shqipëri nga procedura e prokurimit, në ato raste kur bëhet fjalë për blerjen e librave dhe materialeve të një rëndësie të veçantë që hyjnë në kategorinë e fondeve të rralla.

Projektligji është përgatitur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me grupet e interesit në fushën e librit.

Duke vlerësuar të domosdoshëm kontributin e të gjithë aktorëve të fushës, Ministria e Kulturës vë në dispozicion draftin e propozuar për të siguruar në këtë mënyrë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar që do të miratohet.ATSH

Loading...